Haradinaj pas koalicionit me PSD-në: Jemi të hapur për bashkëpunim me NISMA’n dhe AKR-në

Aktuale

Haradinaj pas koalicionit me PSD-në: Jemi të hapur për bashkëpunim me NISMA’n dhe AKR-në

Më: 19 gusht 2019 Në ora: 17:19
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti sot pasdite edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet që pritet të mbahen.

Pas nënshkrimit Haradinaj tha se kanë arritur t’i  bashkojnë ekspertizat më të mira me PSD për një program zhvillimor.

Haradinaj tha se sot me këtë koalicion përçohen dy porosi, pjekuria politike dhe shpresa për vendin.

Kryeministri në detyrë, po ashtu tha se janë të interesuar për Nismën dhe AKR-së që të bashkohen në garë, por jo edhe për PAN 2.

Haradinaj: Koalicion i fitores, ftojmë edhe Nisma dhe AKR-në, por jo më PAN 2 ose PAN 3

“Sikur që e tha kryetari, Shpendi, jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, me AKR-në, ku kemi edhe një komunikim të ndërsjellë. Nuk synojmë PAN 2 ose PAN 3. Nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri, këtë e themi me përgjegjësi të plotë dy subjektet politike. Pra, ne po krijojmë boshtin e fitores për këto zgjedhje që është shpresë për qytetarët e vendit”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pa treguar për hollësitë e marrëveshjes së arritur, theksoi se janë dakorduar që të garojmë me një listë zgjedhore, ku bartës i saj dhe kandidat për kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj.

Ahmeti: Garojmë me një listë, bartës I listës kandidati Ramush Haradinaj

“Jemi dakorduar që ne të garojmë me një listë dhe bartës I kësaj liste do të jetë kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj. Me kaq ne nuk e përmbyllim këtë proces të diskutimeve të koalicioneve parazgjedhore, por gjithsesi se tash PSD-ja bashkë me AAK-në do të kontaktojnë me subjektet e tjera në mënyrë që ta zgjerojmë koalicionin fitues që synimet të cilat I kemi t’i zbatojmë në qeverinë e ardhshme”, deklaroi Ahmeti.

Ndonëse, Shpend Ahmeti mohoi se do të kenë pak kandidatë në listën për deputetë, por theksoi se në këtë listë ka vend edhe për AKR-në dhe Nismën.

Ahmeti: Kemi më shumë kandidatë në listë se secili subjekt tjetër që ka deputet sot në kuvend

“Natyrisht që kemi biseduar për çështje programore më së shumti, negocimi më i lehtë ka qenë për vendet në listë. PSD-ja do t’i zbulon edhe ato çështje me kohë, dhe çdo gjë do të jetë publike, por kemi më shumë kandidatë në listë se secili subjekt tjetër që ka deputet sot në kuvendin e Kosovës. Postet, vendet në listë janë të rëndësisë së dytë karshi asaj se çka po na pret në një të ardhme të afërt”, tha Ahmeti.

Në fund Haradinaj paralajmëroi se nesër do të zhvillojë takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj.

Takimet në mes liderëve të subjekteve politike në Kosovë janë duke u zhvilluar në kuadër të situatës aktuale politike, si shpërndarja e Kuvendit që pritet të ndodhë më 22 gusht, shkuarja në zgjedhje si dhe koalicionet e mundshme parazgjedhore dhe pas zgjedhure. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat