Selimi: Nuk kam hesape të papërfunduara të luftës

Aktuale

Selimi: Nuk kam hesape të papërfunduara të luftës

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 21:49
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi në emisionin Pressing ka folur për fillimet e luftës së UÇK-së në Kosovë, rolin e tij në LPK, kontaktet me Adem Jasharin dhe të tjera.

Duke folur rreth kontakteve të para që ka pasur gjatë luftës dhe aktivizimit të tij në UÇK, Selimi ka qenë prej fillimit e deri në fund.

“Nuk kam hesape të papërfunduara të luftës. E kam dëgjuar një proverb se pemën që ka fruta, fëmijët e gjuajnë me gur. E marrë si normale kur ka gjëra të tilla, pasi për disa aspekte edhe sot situata vazhdon të jetë e pazakonshme. Luftën për çlirim shqiptarët e kanë nisur prejse kur janë sulmuar. Ne nuk jemi ata që e shpikëm në Kosovë, por e vazhduam luftën aty ku e kanë lënë brezat e tjerë. Por, kur flasim për një kohë se kush më herët e kush më vonë, mendoj se është e gabuar. Më me rëndësishme është se çfarë keni bërë në luftëra, duke dhënë edhe jetën, andaj nuk duhet thënë se kush ka qenë më herët në luftë ka merita më shumë. Po të ishte kjo garë, do të ishte më e lehtë. Unë jam nga dita zero dhe nga dita kur është shpërbërë UÇK-ja”, tha Selimi, duke mos dhënë datë të saktë se kur ishte ‘kjo data zero’.

Ai tha se themeli i UÇK-së është aktiviteti i Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

“Për herë të parë në nëntor 1994, me nxjerrjen e komunikatës së parë, janë bërë shkronjat apo tri fjalët Ushtria Çlirimtare e Kosovës bashkë”, tha Selimi.

Ai ka bërë të ditur se ka qenë anëtar i LPK-së, por nuk ka pasur ndonjë rol specifik.

I pyetur nëse Adem Jashari ka qenë pjesë e strukturave të LPK-së, Selimi tha se nuk mund të thotë se ka qenë bartës i aktiviteteve për shkak të rrethanave ekzistuese.

“Kontakte me LPK ka pasur edhe ai, por nuk e di a ka qenë formal anëtar i saj, pasi këtë temë nuk e kemi diskutuar asnjëherë bashkë”, tha Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat