Rrëfime të padëgjuara të Rexhep Selimit: Prej formimit të UÇK-së deri te “këndimi” në Speciale

Aktuale

Rrëfime të padëgjuara të Rexhep Selimit: Prej formimit të UÇK-së deri te “këndimi” në Speciale

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 08:36
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

Selimi tha se UÇK’ja është themeluar që nga viti 1994.

“Themeli i UÇK’së, është aktiviteti i Adem Jasharit dhe shokëve të tij, mbi këtë u themelua UÇK’ja. Kur bëhet fjalë për UÇK‘në, brezat janë lidhur me njëri-tjetrin. Në nëntoin e vitit 1994 janë bërë këto shkronja bashkë, UÇK, me rastin e nxjerrjes së komunikatës së parë të UÇK’së”, ka thënë Selimi.

Selimi tutje ka thënë se personi i autorizuar për ta përcjellë zërin e UÇK’së ka qenë deputeti i PDK’së, Nait Hasani.

“Në atë komunikatë, personi i autorizuar për të çuar zërin e UÇK’së ka qenë Nait Hasani, i cili ka pasur përgjegjësi të madhe për kohën kur po flasim. Ai ka qenë rruga prej kur është nisur komunikata për të shkuar në zyrat tjera”, ka thënë Selimi.

Rexhep Selimi ka thënë se në gjashtë vjetët e fundit të jetës së Adem Jasharit ai nuk ka pasur asnjë komunikim me Hashim Thaçin, e kjo sipas tij tregon mjaftë se çfarë raportesh kanë pasur ata dy.

“Nuk mund të shpjegoj gjithçka për arsye të rrethanave tjera, por nëse Adem Jashari dhe Hashim Thaçi janë njohur një ditë dhe ato kanë qenë njohje para themelimit të UÇK’së, pra kanë pasur komunikime dhe këto janë shkëputur për rreth gjashtë vitet e fundit të jetës së Adem Jasharit kjo tregon diçka. Mendoj se ky është argument se kush ka qenë relacioni. Në gjashtë vitet e fundit të jetës nuk ka komunikuar me Thaçin dhe me ndonjë tjetër eventualisht. E kam ditur këtë dhe kurrë s’kam tentuar të përfitoj mbi këtë relacion”, ka thënë Selimi.

Selimi ka folur edhe për raportet në mes të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit, ku tha se nuk kanë qenë fort të mira.

“Shumë më i keq ka qenë raporti në mes Bukoshit dhe Rugovës sesa i këtyre dyve me UÇK’në. Bukoshi ka kërkuar prej nesh njëfarë bashkëveprimi kundër Rugovës. Mënyra ka qenë jo fort etike”, ka thënë Selimi duke mos dashur të flas më shumë rreth kësaj teme.

Selimi ndër të tjera në këtë emision foli edhe për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Tutje Selimi tha se e çmon veprën e Rugovës i cili arriti të bashkoj të gjithë popullin në kohë diktature, pa përdorur mjete të dhunës. Por ai përmend edhe dy gabimet e tij.

“Organizimi i zgjedhjeve në kohë lufte ka qenë gabim. Kosova atë kohë ishte e përgjakur. Gabim i madh po ashtu ka qenë vizita në Beograd në vitin 1999” u shpreh Selimi.

Rexhep Selimi rrëfen si kishin shkuar në Dukagjin me Thaçin, Krasniqin e Zyrapin për ta shkarkuar Tahir Zemën.

“Pas dy ditësh ishim takuar përsëri. Bashkë me Zyrapin dhe Thaçin i kishim komunikuar Zemajt se ishte i shkarkuar”, ka thënë Selimi.

“Zemaj kishte reaguar. Dhe unë e kuptoj atë por nuk është e drejtë që një person, sado i aftë që të jetë, të caktoj vetën komandant pa pëlqim të Shtabit.”

“Për mua atëherë ishte hera e parë që e takoja Zemajn. Isha ai që e nënshkrova shkarkimin e tij”, deklaroi Selimi.

Ai i është përgjigjur Kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt, i cili të hënën tha në Pressing se Selimi ka “knu” në Gjykatën Speciale, duke aluduar se ai ka qenë dëshmitar në dhomat e Specializuara në Hagë.

Selimi i ka mohuar këto akuza kategorikisht.

Ai ka thënë se kohët e fundit nuk e kupton shumë Ramush Haradinajn.

“E kam dëgjuar dhe nuk e kam pritur mirë. Nuk është hera e parë që e kam dëgju. Unë dua të them se Ramushi e di që nuk është ashtu. E di që është rrenë dhe e di burimin e kësaj rrene. Po më bën përshtypje pse Ramushi po e knon atë këngë kur e di prej nga vjen. Autori i këngës është Hashim Thaçi, dhe nuk e kuptoj pse Ramushi e ndjek atë”, është shprehur Selimi.

Tutje Selimi ka thënë se asnjëherë nuk është thirrur nga Gjykata Speciale as si dëshmitar as si i dyshuar.

“Dua të them që është turp që një luftëtar të shkonte në Gjykatë si dëshmitar i fshehur”, ka thënë Selimi në Pressing.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat