Dezertorë serikë në skenën politike të Kosovës

Aktuale

Dezertorë serikë në skenën politike të Kosovës

Nga: A.M. Më: 21 gusht 2019 Në ora: 16:39
Muhamet Hamiti

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Muhamet Hamiti, ka komentuar ndërrimet e partive politike që po bëhen në skenën politike vendore.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shpjeguar se në gjuhën angleze personat të cilët kalojnë nga një parti në partinë tjetër i quajnë dezertor.

Po ashtu, ai ka thënë se “të tillë që ndërrojnë flamujt politikë prej stine në stinë elektorale dhe janë të kërkuar në tregun politik kombëtar”.

Postimi i plotë:

Për dezertorët politikë

Veprimi i kalimit të ndokujt nga një parti në tjetrën në anglisht jepet me foljen ‘defect’, përkthimi i të cilës në shqip dhe në ndonjë gjuhë tjetër bëhet me foljen ‘dezertoj’.

Folja në anglisht përdoret kur dikush lë një parti politike e i bashkohet një tjetre; lë vendin e vet dhe i bashkohet një vendi armik të vendit të vet; lë një kauzë dhe i bashkohet një kauze tjetër konkurrente.

Aq i pasanksionuar është dezertimi politik te ne sa që këtu quhet thjesht ‘kalim’: filani kaloi prej partisë A në partinë B, apo C.

Konotacioni i foljes ‘defect’ në anglisht është negativ dhe prandaj kaluesi (dezertori) person jo i lavdueshëm.

Për dezertorët serikë (të atyre që kanë kaluar dy a më shumë herë në parti tjetër, duke u kthyer ndonjëherë te e para), fraza në anglisht është ‘serial defector’.

Dezertorë serikë me emër kemi ne në Kosovë. Të tillë që ndërrojnë flamujt politikë prej stine në stinë elektorale dhe janë të kërkuar në tregun politik kombëtar.

Ky është aspekt i veçantë i korrupsionit politik në Kosovë që, i pavërejtur dhe i pasanksionuar moralisht, ka kapluar jetën shoqërore e politike në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat