Partitë e mëdha opozitare të gatshme për t’i dhënë fund legjislaturës aktuale të Kuvendit

Aktuale

Partitë e mëdha opozitare të gatshme për t’i dhënë fund legjislaturës aktuale të Kuvendit

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 16:44
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Tash e sa kohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ishin në kërkim të numrave për të rrëzuar qeverinë Haradinaj. Por, seanca për t’i dhënë fund qeverisjes së koalicionit aktual po mbahet pasi shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e tij dhe kërkoi zgjedhje të reja.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se nesër do të japin votën e tyre pro shpërndarjes së Kuvendit.

Këtë, edhe njëherë e ka konfirmuar deputet Ismajl Kurteshi.

“Po Lëvizja Vetëvendosje nesër do të votoj për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e kemi deklaruar këtë edhe më herët”, tha ai për KosovaPress

Gjatë ditës së sotme deputeti Ilir Deda është takuar me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ku ka publikuar një fotografi të përbashkët në të cilën shkruan “Gati për shpërbërjen e Kuvendit”.

Nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, e caktuar nga Kryesia e Kuvendit për shpërndarjen e Parlamentit, derisa tashmë janë dorëzuar nënshkrimet nga partitë e mëdha.

Seanca e nesërme pritet të fillojë në orën 10:00 ku si pikë e parë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa pika tjetër është votimi për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat