MPJ deklarohet rreth emërimit të ambasadorëve të rinj të karrierës

Aktuale

MPJ deklarohet rreth emërimit të ambasadorëve të rinj të karrierës

Më: 21 gusht 2019 Në ora: 21:51
Behgjet Pacolli

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas deklarimeve të LDK-së lidhur me emërimin e jashtëligjshëm, sipas kësaj partie, të ambasadorëve të rinj të karrierës nga presidenti i vendit, duke thënë se të gjithë ambasadorët e propozuar dhe të emëruar përmbushin kriteret e kërkuara.

Në një komunikatë për media thuhet se sipas legjislacionit në fuqi, ministri i Punëve të Jashtme propozon emërimin e ambasadorëve dhe se propozimi i ambasadorëve në këtë rast është bërë para dorëheqjes së kryeministrit, kurse emërimi i tyre nga presidenti po ashtu është bërë në përputhje me Kushtetutën, Ligjin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ligjin e Shërbimit të Jashtëm të Kosovës.

“Emërimi i Ambasadorëve është një proces, jo një akt i vetëm. presidenti,  mandati i të cilit nuk lidhet me dorëheqjen e kryeministrit apo qeverisë, e ka bërë emërimin bazuar në propozimet e ligjshme të bëra nga Ministri i Punëve të Jashtme.

Ministria tanimë ka zbatuar me sukses kërkesën e ligjit për të pasur më shumë se 50 për qind ambasadorë të karrierës, si dhe ka krijuar një gjeneratë të re të ambasadorëve profesionistë që kanë përvojë dhe arsimim për të përfaqësuar interesat e Kosovës jashtë vendit. Me emërimin e ambasadorëve nga radhët e karrierës, ashtu siç është bërë propozimi nga Ministria e Punëve të Jashtme, numri i anëtarëve të shërbimit të jashtëm të emëruar ambasador nga radhët e karrierës diplomatike do të jetë 60 për qind më çka është de-politizuar shërbimi i jashtëm”, thekson Ministria e Jashtme e Kosovës.

Për më tepër MPJ shpreh gatishmërinë në frymën e transparencës dhe sqarimit të spekulimeve të bëra deri më tani për të treguar të gjithë të interesuarve dokumentacionin se propozimi i ambasadorëve është në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, para dorëheqjes së kryeministrit dhe gjendjes së krijuar në qeveri.

“Çdo spekulim tjetër për këtë proces dëmton vetëm interesat e Kosovës jashtë vendit dhe punën e këtyre ambasadorëve në misionet ku janë emëruar. Emërimi i ambasadorëve respektivë  është në respekt të plotë të meritokracisë, brenda shërbimit të jashtëm të Kosovës. Tani Ministria ka filluar procesin e akreditimit të këtyre ambasadorëve në vendet përkatëse pritëse”, përfundon komunikata.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka quajtur të kundërligjshme emërimin e ambasadorëve që së fundi i ka bërë Qeveria në dorëheqje, duke paralajmëruar se me ardhjen e kësaj partie në pushtet, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. 

LDK konsideron se veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik.

Zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka marrë vendim për të emëruar ambasadorë të karrierës, që do ta përfaqësojnë Kosovën jashtë.

Ambasadorët e emëruar të karrierës janë: Ilir Dugolli, ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri, Adriatik Kryeziu në Kanada.

Pacolli ka caktuar në kryeqytetet kryesore ambasadorët e karrierës, hera e parë kur vendet si Londra, Roma apo Ankaraja janë me rëndësi politike.

Disa muaj më parë Pacolli kishte propozuar emërimin e ambasadorëve të tjerë të karrierës në ambasadat e Kosovës jashtë vendit, Ylber Kryeziu u emërua ambasador në Portugali, Muhamet Brajshori ambasador në Tajlandë dhe Guner Ureya ambasador në Bangladesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat