Deputeti i VV-së e ‘publikon’ një sondazh: Albin Kurti po prin për kryeministër - Bota Sot
Deputeti i VV-së e ‘publikon’ një sondazh: Albin Kurti po prin për kryeministër

Aktuale

Deputeti i VV-së e ‘publikon’ një sondazh: Albin Kurti po prin për kryeministër

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 00:16
Liburn Aliu

Liburn Aliu i Vetëvendosjes ka thënë se kanë qenë veprimet e bashkërenduara opozitare gjatë këtij mandati me LDK-në që kanë bërë që këto dy parti të afrohen.

“Vetëvendosja vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë për LDK-në e Isa Mustafën. Por, ne i kemi bashkërenduar hapat me LDK-në si opozitë gjatë këtij mandati. Dhe kështu nis rregullimi i marrëdhënieve. Kemi pasur edhe për AAK-në kritika, e më pas kemi bashkëpunuar. Nuk i dihet të ardhmes, por në politikë momenti kërkon që të bësh koalicione, pavarësisht mospajtimeve. Kemi qenë unikë për marrëveshjen që Thaçi dëshironte të bënte me Vuçiqin. Kështu është krijuar një marrëdhënie mirëbesimi mes nesh dhe LDK-së, që është diçka pozitive. Nëse e shikon të kaluarën, ka shumë personalitete që ke mundur të kesh mospajtime, por pastaj bashkëveprojnë”, ka thënë Aliu në Interaktiv të KTV-së.

Duke folur për mundësinë e mosarritjes së një koalicioni me LDK-në, Aliu tha se do të donte që të gjitha partitë e mëdha të shkojnë ndaras në zgjedhje.

“Nëse do t’i kishim partitë e mëdha, VV, LDK, PDK e AAK të ndara, do ta dëshiroja shumë që të shkonim kështu në zgjedhje, 4 pole. E të voglat le të shkojnë ku do të donë, Nisma e PSD-ja. Në çdo lagje e fshat e rrugicë flitet vetëm për Albin Kurtin kryeministër. Sipas sondazheve, VV në zgjedhje me Kurtin kandidat për kryeministër, është partia e parë. Por, pavarësisht se ne mendojmë kështu, nuk duhet të lejojmë të rrezikojmë që të gjithë ata të bëhen bashkë e ta thyejnë këtë shpresë te populli”, deklaroi ai.

“Nëse, me këtë shpresë që po e shohim në terren, do ta hiqnim Albin Kurti nga posti i kandidatit për kryeministër, do ta thyenim shpresën në popull. Ky është një opinion imi nga puna në terren që po e bëjmë. Do të jetë tepër e dëmshme nëse do të ndërhyhet në këtë punë. Le të thotë sa të dojë Kadri Veseli se është për ndryshim, askush s’mund ta besojë se ndryshimi vjen me të. As Ramush Haradinaj s’mund ta bëjë ndryshimin. I vetmi person që mund të bëjë ndryshimin, të gjithë e shohin, është Albin Kurti”, u shpreh deputeti i VV-së, Liburn Aliu.

Duke u ndalur tek koalicioni i parë parazgjedhor, që u nënshkrua mes AAK-së dhe PSD-së, Aliu tha se ky koalicion është i natyrshëm, e madje thotë se ka pritur që PSD-ja të bëjë koalicion edhe me PDK-në.

Shton se ky koalicion s’mund të jetë i fitores, por vetëm nëse bëhen të gjitha bashkë, sikurse në rastin e PAN-it.

“Koalicioni AAK-PSD më është dukur i natyrshëm. Ata janë më shumë kah e djathta, pavarësisht deklarimeve të tyre të majta. Veprimet çojnë kah e djathta. Prandaj, për mua s’ka kurrfarë befasie në këtë koalicion. Kam pritur që do të shkojnë me PDK-në, për shkak të orientimin, por s’kanë shkuar për shkak të deklarimeve me ato vijat e kuqe. Si me PDK-në si me AAK-në, për mua është normale për PSD-në. S’mund të jetë koalicion i fitores. Vetëm nëse bëhen të gjithë bashkë, sikurse PAN-i, mund të jenë fitues.

Deklarata e nënkryetarit të PSD-së se VV-ja është në panik pas koalicionit me AAK-në, sipas Aliut, nuk çon peshë.

Ai tha se VV-ja gjithmonë ka diskutuar me shumë subjekte politike para zgjedhjeve, dhe “edhe tani jemi të hapur për të diskutuar me partitë tjera”.

Duke iu referuar sondazheve, Aliu tha se nuk ka shumë informata, mirëpo theksoi se në vazhdimësi VV ka dalë e dyta me diferencë të vogël me LDK-në, e së fundmi ka dalë e para, por gjithashtu me diferencë të vogël me LDK-në.

“Por, ajo që është me rëndësi është se Albin Kurti del si kandidati kryesor për kryeministër”, tha ai, ndërsa mohoi që partia që ai përfaqëson të ketë bërë ndonjë sondazh.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...