Kurti e quan lajm të mirë për Kosovën vendimin për shpërndarjen e Kuvendit që i dha fund PAN-it

Aktuale

Kurti e quan lajm të mirë për Kosovën vendimin për shpërndarjen e Kuvendit që i dha fund PAN-it

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 11:10
Albin Kurti

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur pas shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendim ky që dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kurti ka thënë se sot është një ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij u largua një qeveri që në koalicion kishte më shumë parti sesa deputet.

 “Ishte një qeveri në të cilën kryeministri që u dorëhoq kishte dyfish më shumë parti në koalicion se sa deputet në Kuvend. Sot është ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Sa i përket një marrëveshje parazgjedhore me LDK’në, Kurti ka thënë se janë në një proces të mirë, për të cilin shprehet mjaft optimist.

“Tash për tash jemi në një proces të mirë e për kurorëzimin e të cilit unë jam optimist”, ka thënë ai.

Kreu i VV’së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të futet në koalicione me partitë të cilat kanë qenë pjesë e Qeverisë këto dy vitet e fundit.

“Unë po flas si njeri që do të jem në ballë të Lëvizjes në fushatë, për zgjedhjet që do të mbahen ose ne fund të shtatorit ose ne fillim të tetorit. Ne konsiderojmë që shteti i kapur i Kosovës është pikërisht i tillë për shkak të PDK’së, e cila e ka uzurpuar shtetin.  Ne nuk hyjmë në koalicione me ata që ishin pjesë e kësaj qeverie. Pra këta që kanë qeverisur, besoj që nuk do të duhej të qeverisin më”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se qeveria e ardhshme nuk duhet të merret me vendime të mëdha, por me punë të mëdha, duke përmendur këtu arsimin, shëndetësinë, punësimin dhe në fund edhe dialogun me Serbinë.

“Qeveria e ardhshme nuk do të duhej të merret me vendime të mëdha si puna e demarkacionit Meha, e që sna i solli vizat. Por duhet të merremi me punë të mëdha. Shëndetësi, arsim e treg të punës.  Kemi shumë punë të mëdha. Dialogu me Serbinë është prioritet i Serbisë për t’u integruar. Duhet të shikojmë gjendjen e marrëveshjeve të nënshkruara dhe pastaj t’i paraqesim kërkesat tona”, ka thënë ndër të tjera ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat