“Trendi” i ndërrimit të partive në Kosovë, kush - ku shkoi

Aktuale

“Trendi” i ndërrimit të partive në Kosovë, kush - ku shkoi

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 19:41
Partitë politike në Kosovë

Edhe pse ende nuk janë shpallur zgjedhjet, liderët partiak kanë filluar të mobilizohen.

Sot është shpërbërë Kuvendi i Kosovës nga deputetët, kështu për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike e në veçanti liderët kanë filluar mobilizimin e tyre.

Që pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit kanë filluar edhe lëvizjet e para në këtë parti.

Në këtë subjekt politik deri më tani që pas dorëheqjes së Haradinajt janë bërë edhe disa aderime, kryesisht nga Nisma Socialdemokrate.

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ishte nga radhët e Nismas, ka kaluar këtë  muaj në partinë e Haradinajt.

Po ashtu edhe ish-anëtari i Nismas, Rasul Sinani, gjatë ditës së djeshme e ka zyrtarizuar aderimin e tij në AAK.

Pasi dështoi të bëhej kryetar i PDK-së në Drenas, edhe Naim Bazaj i është bashkuar AAK-së.

Në anën tjetër edhe pse akoma nuk ka asgjë zyrtarisht, afërsia e ish-deputetit të AKR-së, Labinot Tahiri me AAK-në e në veçanti Ramush Haradinajn, ka bërë që të supozohet se Tahiri do t’i bashkohet AAK-së. Madje Tahiri gjatë kohës sa ka qenë deputet, ai kishte dhënë dorëheqje nga Grupi Parlamentar i AKR-së dhe i ishte bashkuar Grupit Parlamentar t AAK-së.

AKR-ja ka mbetur edhe pa një nënkryetar. Është Agim Bahtiri ai i cili është larguar nga Aleanca Kosova e Re (AAK) dhe i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Një tjetër largim i ka ndodhur edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shpejtim Bulliqi është larguar nga LDK-ja dhe i është bashkuar Vetëvendosjes.

Theksojmë se pas shpërbërjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se shumë shpejt do të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Edhe pse ende nuk janë shpallur zgjedhjet dhe nuk dihet saktë se kur pritet të mbahen, po ashtu nuk dihet nëse të gjithë këta persona që kanë ndërruar partitë do të jenë pjesë e listave zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat