Albin Kurti: Ky do të jetë vendimi im i parë kur të vijë në qeveri, ja pse duam koalicion me LDK-në

Aktuale

Albin Kurti: Ky do të jetë vendimi im i parë kur të vijë në qeveri, ja pse duam koalicion me LDK-në

Më: 22 gusht 2019 Në ora: 21:07
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, si asnjëherë më parë po i përgjigjet hapur pyetjeve të qytetarëve të Kosovës. E vetmja e metë: Po i lë anonimë, pa treguar për identitetin e tyre.

Kurti shprehet i shqetësuar edhe për rënien e natalitetit në vendin tonë. Ai beson që një gjë e tillë mund të jetë pasojë e banimit të përbashkët të çifteve me prindërit e tyre.

Ai nënkupton se çiftet e reja kanë vështirësi që të bëjnë seks e fëmijë nga banimi i përbashkët me prindërit, dhe për këtë ka një politikë mjaft interesante.

Kryetari i Vetëvendosjes ka premtuar që në rastin e ardhjes së tij në pushtet, do t’iu mundësohet çifteve blerja me këste e banesës brenda 10 vitesh.

Madje, gjithë këtë Kurti mendon ta bëj për një pagesë mujore prej vetëm 150 eurosh në muaj dhe e cila do të mbërrinte vlerën e 18 mijë eurove.

Por, Kurti nuk ka specifikuar se sa metra katrorë do të ishte një banesë e tillë standarde për çiftet dhe se në cilin vendbanim do të vendosej.

Albin Kurti përmend dy data kur mund të mbahen zgjedhjet e reja

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sonte ka hyrë live në llogarinë e tij në Facebook, për t’ju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.

Kurti përmendi datën 29 shtator dhe 6 tetor si data të mundshme kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Meqenëse president ii Kosovës nuk e caktojë datën sot – kjo do të thotë që 22 shtatori nuk mund të jetë data e zgjedhjeve, rrjedhimisht do të jetë ose 29 shtatori ose 6 tetori do ta marrim vesh nesër ose javën e ardhshëm. Ne si Lëvizje jemi të gatshëm si për 29 shtatorin si për 6 tetorin”, ka deklaruar Kurti.

Kurti edhe gjatë këtij prezantimi bëri me dije se janë të gatshëm dhe të interesuar për koalicion parazgjedhor.

Kurti: Ja pse duam koalicion parazgjedhor me LDK-në

Albin Kurti është pyetur nga ndjekësit e tij edhe për koalicionet parazgjedhore dhe ato pas zgjedhjeve.

Kurti ka thënë se është treguar i qartë që dëshiron koalicion parazgjedhor më LDK-në dhe se Isa Mustafa nuk e ka zhgënjyer nga vera e vitit të kaluar nga qëndrimet që ka marrë karshi çështjeve të ndryshme për vendin.

Ai ka arsyetuar edhe pse dëshiron një koalicion parazgjedhor dhe se me LDK-në çështja e fituesit do të ishte e mbyllur, duke mos harruar të thumbojë edhe partitë e tjera.

“Nëse subjektet do të garojnë veçmas atëherë me siguri do të ketë polemika të ashpra, secili do të besojë që fiton, unë jam i bindur që fiton VV, ata që nuk do të fitojnë do të hidhërohen, e kur hidhërohen nuk e dinë se çfarë bëjnë. Ama nëse e bëjmë koalicionin parazgjedhor atëherë dihet fituesi, koalicioni VV-LDK është fituesi ne do t’i kemi bashkë 70 deputetë. Ata që mbeten që kanë qeverisur do të bëjnë gara për vendin e dytë. Me siguri do të flasin mirë për ne e keq për njëri-tjetrin sepse do të mendojnë se do t’i marrim në qeverisje pas zgjedhjeve”, tha Kurti. 

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që të shkojë edhe vetëm në zgjedhje, por sipas tij, pritjet për të marrë 61 deputetë nuk janë reale.

Kurti deklaroi se nëse hyjnë në zgjedhje vetëm, pastaj i pret punë jo e lehtë për të gjetur partnerë për të qeverisur, por që kreu i VV-së tha se nuk do të jetë mision i pamundur.

Kurti: Prokurori Elez Blakaj që po strehohet në Amerikë mund të kthehet në Kosovë nëse marrim ne qeverisjen

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një paraqitje në rrjetin social Facebook, ka thënë se prokurori i larguar nga Kosova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elez Blakaj do të mund të kthehet në Kosovë nëse Vetëvendosja vjen është në qeveri.

“Do ta kthejmë Elez Blakajn në Kosovë, të cilin e përndoqën nga Kosova. Me qeverinë tonë të re do të mund të kthehet në vendin tonë” tha Kurti.

Ai gjithashtu akuzoi edhe pushtetarët se mund të kenë pasur lidhje me skandalin e “Panama Papers”. Në këtë skandal ishin përfshirë shumë persona e politikanë, të cilët kishin arritur të fshehin paratë e tyre në shtetin e Panamasë.

“Panamanë e kanë vizituar ish-kryeparlamentari e ish-presidentja, e më pas doli skandali ‘Panama Papers’, nuk dua të spekuloj” tha ai në një lidhje në rrjetin social Facebook.

Ai gjithashtu tha se nëse Vetëvendosja vjen në pushtet do të ulet numri i ministrive dhe zv.ministrave.

“Do të bëhet zvogëlimi i qeverisë, të mos kemi 21 ministri me 80 zv.ministra. Do të kemi 12 ministri me nga një zv.ministër” shtoi Kurti.

Sot është bërë shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, akt që i hapi rrugë zgjedhjeve të reja në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat