Me çfarë premtimesh partitë politike do t’i synojnë votat e qytetarëve?

Aktuale

Me çfarë premtimesh partitë politike do t’i synojnë votat e qytetarëve?

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 10:51
Foto

Zhvillimi ekonomik, punësimi, sundimi i rendit dhe ligjit dhe në veçanti ngritja e cilësisë në arsim, janë disa nga çështjet që mendohet se do të tërhiqnin vëmendjen e qytetarëve në fushatën e partive politike për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare.

Pas shpërndarjes së Kuvendi të Kosovës, brenda 45 ditëve në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për përbërjen e re të legjislaturës së shtatë të Kosovës.

Qytetarët do të kenë mundësinë që të votojnë për kandidatët dhe partitë politike te të cilët apo të cilat besojnë se mund t’i çojnë përpara proceset më të rëndësishme të vendit dhe që mund të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale në vend.

Rinor Klaiqi, një qytetar nga Prishtina thotë se gjithçka që thonë partitë politike në fushatë nuk realizohen, prandaj edhe pritjet sipas tij, janë të vogla.

“Partitë politike tani e sa vjet kanë qenë me të njëjtin shabllon, kanë ofruar shumë gjëra për të na joshur, por ndryshimet që i duhen qytetarit të Kosovës ende nuk kanë ardhur. Qytetari i Kosovës ka nevojë t’i ngritet mirëqenia, duke filluar nga ngritja e cilësisë në arsim, e cila është shtylla e një vendi. Unë jam i diplomuar në Fakultetin Teknik dhe tani e sa kohë po kërkoj një vend pune dhe nuk kam arritur të punësohem”, thotë ai.

Si qytetar thotë ai, ka nevojë për punësim dhe një të ardhme me perspektivë, por dyshon shumë, pasi që beson se korrupsioni dhe nepotizmi po e mbysin të ardhmen e këtij vendi.

“Vendi ynë nuk ofron momentalisht asnjë perspektivë dhe do të ishte naivitet të mendojmë se zgjedhjet bëjnë zgjidhje. Partitë politike mua personalisht me asgjë nuk mund të më joshin, nuk i besoj asnjë partie. Kam qenë optimist se në Kosovë do të më ofrohet një jetë më e mirë, tani besimit i ka ardhur fundi. Nuk pres që politikanët që do të bëjnë zgjidhjen e problemeve që kanë qytetarët e rëndomtë, pasi këtu gjithçka është nepotizëm dhe korrupsion”, thotë ai.

Analisti politik, Armend Muja, thotë se janë shumë çështje që partitë politike duhet t’i kenë në programet e tyre për votat e synuara të qytetarëve të vendit. Perspektiva e vendit, shton ai, është shumë e rëndësishme për votuesit.

“Kosova duhet të rikonfirmojë edhe njëherë orientimin e saj perëndimor sepse nuk ka qenë kështu në pesë-gjashtë vjetët e fundit. Ka nevojë për gjithë ata votues të rinj që të dëgjojnë nga partitë politike se cilat janë ofertat e tyre që do t’i parandalonin ata të ikin nga vendi, për arsye se gjysma e të rinjve sot në Kosovë mendojnë se si të largohen nga vendi. E treta, ka nevojë që votuesi kosovar të kuptojë se është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje me kompromis me Serbinë për arsye se ky ka qenë edhe përkushtimi ndërkombëtar dhe çështjet tjera si arsimi, zhvillimi ekonomik dhe shëndetësia janë çështjet kryesore”, thotë Muja.

Nora Jashari, një qytetare nga Prishtina, thotë se partitë politike vetëm me programe të qarta që do të përmbanin çështjet me të cilat përballen qytetarët e vendit do të mund t’i tërhiqnin ata të votojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ne si qytetarë kemi nevojë për zhvillim ekonomik, punësim dhe një vend ku sundon ligji dhe ku arsimi është prioritet dhe punohet në ngritjen e cilësisë. Programet e partive që do t’i kishin këto elemente do të ishin në interes të qytetarëve”, thotë ajo.

Ndërsa ,Venera Ahmeti thotë se nuk pret se partitë politike mund të kenë ndonjë program me të cilin do ta bindnin atë dhe të tjerët, që të dalin në zgjedhje.

“Nuk kam ndonjë motiv për të dal në zgjedhje, çdo herë është e njëjta gjë, premtime të njëjta të cilat asnjëherë nuk realizohen. Programet e partive janë të mira, por, që ato mbesin në letër dhe nuk realizohen”, thotë ajo.

Kosova që nga pas lufta është përballur me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik, nivel të lartë të korrupsionit, nepotizmit si dhe me nivel jo të kënaqshëm të sundimit të rendit dhe ligjit, që sipas raporteve ndërkombëtare, reflektohet sidomos me një gjyqësor të politizuar dhe joefikas.

Nga hulumtimet e bëra si nga mekanizmat vendorë ashtu edhe ata ndërkombëtarë ishte theksuar se papunësia, korrupsioni dhe varfëria, vazhdojnë të mbesin problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.

Në të gjitha zgjedhjet, qoftë të përgjithshme apo lokale, subjektet politike kanë premtuar uljen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë, luftimin e korrupsionit dhe nepotizmin, sundim të rendit dhe ligjit, por në realitet, gjendja ka mbetur e njëjtë./ReL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat