Beqiri: Grave duhet mos me ua zënë frymën - Bota Sot
Beqiri: Grave duhet mos me ua zënë frymën

Aktuale

Beqiri: Grave duhet mos me ua zënë frymën

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 14:59
Ismet Beqiri

Në konferencën me temën: “Barazia gjinore – betejë e pambaruar”, të organizuar nga Forumi i Gruas i LDK-së përkrahur nga Fondacioni Konrad Adenauer, kryetarja e Forumit të Gruas, Lirije Kajtazi tha se LDK-ja gjithherë ka bërë politika të favorshme për secilën grua, edhe për ato në amvisëri.

Kajtazi theksoi se “Barazia gjinore – betejë e pambaruar” është emërtim i pa dëshiruar, por realiteti është ky. Ajo tha se vazhdojnë me kërku më shumë përfaqësim të grave në politikë dhe vendimmarrje.

“LDK ka bërë gjithherë politika të mira që e kanë përmirësua jetën e secilës dhe asaj që është në shtëpi, e lëre më në institucion. Ne vazhdojmë me kërkua më shumë përfaqësim, nuk i kemi arritur krejt pritjet, kemi dashtë më shumë. Sot Këshilli i Përgjithshëm do të vijë kupolën e këtyre zgjedhjeve dhe do ta zgjedhe kryesinë, por shpresojmë që ju me qenë të përfaqësuara me dinjitet”, tha Kajtazi.

Edhe sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri me këtë rast ka mbajtur një fjalë rasti në emër të kryetarit Isa Mustafa. Beqiri pret që në listën për deputetë të jenë të përfaqësuara në mënyrë dinjitoze edhe gratë, edhe pse sipas tij, LDK-ja ka dhënë një përkrahje më të madhe gruas, 51 përqind në raport me burrat.

“A do të duhej dhe a është obligim i yni jo për të falur dhe për të dhuruar, por për të krijuar hapësirë më të madhe kjo është e pa diskutueshme. Sepse vërtet kemi edhe zonja, zonjusha dhe gra të mençura dhe të guximshme të cilave veç duhet mos me ua zënë frymën kushtimisht, me iu dhënë hapësirë dhe jo me iu falë diçka”, theksoi Beqiri.

Ndërsa Premtina Rakovica nga Konrad Adenauer pohoi se përfaqësimi i grave në polikë dhe në pozita udhëheqëse mbetet i pakënaqshëm.

“Shpesh dëgjojmë se Kosova qëndron mirë( në përfaqësimin e grave) për shkak se 30 përqind e kuvendeve komunale dhe kuvendit të Kosovës janë gra, mirëpo kjo është diçka që përcaktohet me ligj dhe në pozita ekzekutive gratë mungojnë”, deklaroi Rakovica. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat