Delegacioni gjerman në shtator vjen në Kosovë për vizat - Bota Sot
Delegacioni gjerman në shtator vjen në Kosovë për vizat

Aktuale

Delegacioni gjerman në shtator vjen në Kosovë për vizat

Më: 23 gusht 2019 Në ora: 20:15
Ramush Haradinaj bëri me dije se një delegacion nga Gjermania do të vijë për të diskutuar për çështjen e vizave

Pak kohë pasi që dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj bëri me dije se një delegacion nga Gjermania do të vijë për të diskutuar për çështjen e vizave. Ata do të priten nga grupi punues i themeluar muaj më parë në Qeveri. Zëdhënësja e Qeverisë në dorëheqje, Donjeta Gashi ka dhënë detaje të kësaj vizite.

Në ditën e fundit të punës së Kuvendit që u shpërnda pasi shefi i qeverisë Ramush Haradinaj dha dorëheqje, u bë me dije se një delegacion gjerman do të vizitojë vendin gjatë muajit shtator.

Këta do të udhëtojnë në Kosovë, për të mbajtur disa takime, që do të përcaktojnë edhe fatin e vizave për qytetarët.

“Edhe në këtë kohë kur po flasim jemi në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë, një delegacion i tyre do të vijë në shtator për me e përmbyllë aspektet përgatitore për vendimin. Nuk e di a vjen vendimi një ditë para zgjedhjeve, apo një ditë pas zgjedhje, është i mirëseardhur”, deklaroi dje para mediave, Haradinaj.

Lidhur me këtë çështje, për të marrë më shumë detaje për vizitën, Express ka kontaktuar qeverinë e Kosovës në detyrë.

Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria kanë bërë të ditur se cila është arsyeja e vizitës.

“Grupi punues i themeluar nga Qeveria e Kosovës për të punuar në çështjen e liberalizimit të vizave, në partneritet bilateral me Gjermaninë ka ardhur si rezultat i takimeve intensive që ka zhvilluar kryeministri Haradinaj me përfaqësues të shtetit gjerman, përfshirë kancelaren Merkel dhe ministrin e brendshëm Seehofer.

Qëllimi i këtij grupi ka qenë përafrimi i agjendës sonë për liberalizimin e vizave dhe njohja për së afërmi i të arriturave tona në përmbushjen e kritereve në këtë proces, praktikë kjo që do të shërbej edhe me partneritet të ngjashëm më vendet tjera. Në kuadër të këtij procesi, grupi punues nga Kosova ka zhvilluar një takim në fillim të qershorit në Berlin”, thuhet në përgjigjje derisa, saktësohet se takimi do të ndodhë me ftesë të Haradinajt.

“Për ta çuar përpara këtë proces, ditë më parë kryeministri Haradinaj u ka dërguar ftesë palës gjermane për një takim të radhës në Prishtinë, në pjesën e parë të muajit shtator. Do të thotë kjo është arsyeja e vizitës”, thuhet në këtë përgjigje.

Takimi i parë i grupit punues ishte mbajtur në muajin qershor të këtij viti, derisa kishte zgjatur më shumë se tetë orë.

Kjo ishte bërë në kuadër të vizitës së delegacionit të Kosovës të udhëhequr nga tash kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në samitin që u mbajt në Berlin, pas takimit që ky pati me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer.

Haradinaj kishte deklaruar pas takimit se Kosova ka marrë “Po”-në e Gjermanisë për vizat, derisa u tha se kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve e rritje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.

Pas takimit në Samit ishte bërë e ditur se kancelarja gjermane Angela Merkel e kryeministri ishin dakorduar për krijim të grupeve teknike që kur të ndodhë liberalizimi të mos humbet kohë me procedura.

“Kosova e meriton rrugën euroatlantike. Koha i është dhënë Kosovës sot, e dëshmon që agjenda e Kosovës ka zënë vend. Është një respekt i Gjermanisë dhe kancelares për Kosovën. Proceset janë në një nivel më të mirë, se sa para këtij takimi. Kosova është në një pozicion më të fortë, se sa para një ore. Unë e kam falënderuar pozicionin e Gjermanisë, sepse e kanë kryer punën e vet (për liberalizimin e vizave)”, pati deklaruar Haradinaj.

Shpresa e fundit që çështja e vizave të hyjë në agjendë të BE-së është vjeshta, kur me BE-në do të jetë duke kryesuar Finlanda dhe pasi të nisin punën institucionet e reja të BE-së që kanë dalë nga zgjedhjet evropiane të majit.

Në maj të këtij viti, qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinaj morën vendim për krijimin e një grupi punues për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane për  harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizim të vizave.

Kryesues i grupit është shefi i stafit të kryeministrit, Selim Selimi, derisa anëtarë janë, Rejhane Vuniqi, Lirak Qelaj, Altin Ademi dhe Dardan Koqani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...