Avdullah Hoti: Do të nominojmë për kryeministër kandidatin më të mirë

Aktuale

Avdullah Hoti: Do të nominojmë për kryeministër kandidatin më të mirë

Më: 24 gusht 2019 Në ora: 00:19
Avdullah Hoti

Anëtari i sapozgjedhur i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se takimi i sotëm i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka takim punues, dhe është marrë vendimi për t’u votuar Kryesia.

“Kemi vendosur disa orientime për secilën prej degëve, në mënyrë që secila degë të ketë targetët e vetë për t’i siguruar Lidhjes një fitore sa më të thellë”, ka thënë Hoti, në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka treguar se është rritur numri nga 21 në 31 anëtarë të Kryesisë, e plus anëtari i Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas e çojnë në 33 këtë trup të partisë.

“Mendoj se lista i përfshinë një shtrirje në gjithë Kosovën të degëve të LDK-së, si dhe figurave që përfaqësojnë këtë parti”, ka thënë Hoti, që ka qenë edhe shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në mandatin e kaluar.

Kur është pyetur për disa emra që nuk janë përfshirë në Kryesi, si Arben Gashi, Xhafer Tahiri, Driton Selmanaj, e të tjerë, Hoti ka thënë se “ka edhe shumë emra që do të mundë të ishin aty, por që për shkak të kufizimit të numrit nuk janë përfshirë”.

“Kjo nuk duhet të interpretohet si lënie jashtë i dikujt, por është një përfaqësim i degëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “në këtë mbledhje nuk është diskutuar për kandidatin për kryeministër”.

“Besoj se nuk jemi vonë. Dje është shpërndarë Kuvendi. Ndoshta edhe nesër, kur do të mbahet mbledhja e Kryesisë, mund të dalim me një emër. Të shohim cilat do të jenë propozimet e kryetarit dhe diskutimet që do të bëhen nesër”, ka thënë Hoti, i cili në zgjedhjet e kaluara ka qenë vetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

Ai nuk ka folur se për kë e ka pasur fjalën shefi i tij i partisë, Isa Mustafa, kur ka thënë sot pas mbledhjes në parti, se janë 4-5 emra që ka përpara si kandidatë të mundshëm për t’u mandatuar për kryeministër nga kjo parti.

“Unë isha rezervuar për të folur për emrat. E kemi një kod të sjelljes që nuk mund të flasim për emra, derisa nuk vendoset në organet e LDK-së”, ka thënë Hoti, duke u rezervuar edhe që të flasë për veten, nëse ai do të jetë sërish kandidat për kryeministër.

“Pa asnjë diskutim do të bëjmë zgjedhjen më të mirë për kandidat për kryeministër”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se me zgjedhjet e fundit brenda partisë e kanë strukturuar mirë LDK-në, derisa ka thënë se ekspertët më të mirë të kësaj partie kanë punuar për programin me të cilin do të dalin para qytetarëve.

“Do të nisim aty ku e kemi lënë në gjysmë në vitin 2017, në zhvillimin ekonomik, arsim dhe shëndetësi. Por fokus i joni do të jetë sundimi i ligjit”, ka thënë Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat