Vetëvendosje dënon sulmin ndaj autobusit të Kosovës në Serbi: Akt burracakërie i shovinistëve serbë

Aktuale

Vetëvendosje dënon sulmin ndaj autobusit të Kosovës në Serbi: Akt burracakërie i shovinistëve serbë

Më: 25 gusht 2019 Në ora: 15:09
Foto

Lëvizja Vetëvendosje e ka dënuar ashpër sulmin e serbëve ndaj autobusit me udhëtarë nga Kosova që po kalonte përmes Serbisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në një reagim të partisë së Kurtit thuhet se një gjë e tillë është akt burracakërie i shovinistëve serbë të cilët nxiten nga kisha, shkollat dhe mediat serbe.

Sipas VV’së një politikë e tillë ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të kaluarën dhe mund të ndodh e njëjta nëse nuk ndryshohet.

Reagimi i plotë:

Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova, që shkonin drejt vendeve të BE-së.

Është retorika zyrtare e shtetit dhe pushtetit në Serbi, e riprodhuar nga kisha, shkolla e media, ajo që i mbush qytetarët e Serbisë me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kjo ideologji ka shkaktuar spastrime, vrasje e dhunime në të shkuarën, dhe ende mund ta bëjë të njëjtën nëse nuk ndryshohet. Duhet një përpjekje e bashkërenduar, ndërkombëtare, për ta defashistizuar politikën e Serbisë, dhe për ta ndalur urrejtjen e retorikën shoviniste.

Nga ana tjetër është edhe joserioziteti i shtetit tonë në raport me këtë Serbi haptazi anti-shqiptare. Me deklarata jodinjitoze diplomatët dhe pushtetarët e Kosovës bëjnë përpjekje për të mbuluar dhjetëra marrëveshje që i kanë nënshkruar me Serbinë, pa e kushtëzuar asnjëherë. Sa deklarata janë bërë se po sigurohet lëvizja e lirë, por gjendja mbetet e njëjtë: qytetarët e Kosovës lëvizin me frikë, dhe kohë pas kohe sulmohen. Përveç se mërgata jonë dhunohet duke pritur me orë të tëra në kufi duke hyrë e dalur nga vendi ata me vete bartin edhe frikën nga sulmet që mund t’i marrin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e dënon ashpër sulmin, dhe i bëjmë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë presionin e duhur ndaj Serbisë, si dhe që ta ngrejë këtë çështje në nivel ndërkombëtar, që të sigurohet liria e lëvizjes për çdo qytetar të Republikës së Kosovës, që të mos rrezikohet jeta e askujt dhe kryerësit e këtij akti vandal të ndëshkohen. Si çdo politikë diskriminuese, edhe anti-shqiptarizmi është i papranueshëm, e sidomos për ne shqiptarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat