Osmani i kundërpërgjigjet akuzave të Sfeçlës: VV t’i bashkohet LDK-së

Aktuale

Osmani i kundërpërgjigjet akuzave të Sfeçlës: VV t’i bashkohet LDK-së

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 14:51
Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojnë ditëve të ardhshme diskutimet lidhur me mundësinë e arritjes së një koalicioni parazgjedhor.

Nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së kësaj partie, tha se Vjosa Osmani në mënyrë unanime sot e ka marrë mbështetjen për kryeministre të Kosovës.

Sipas tij, askush më mirë se Osmani nuk mund të funksionalizojë demokracinë në Kosovë.

E nominuara e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani teksa falënderuar të gjithë për mbështetjen, tha se unanimisht Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që mos të hyjë në koalicion me PDK-në as para zgjedhjeve, por as pas mbajtjes së tyre më 6 tetor.

Duke qenë të vendosur që pozita e kryeministrit t’i takojë LDK-së, Osmani tha se fokusi për një bashkëqeverisje është me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se në ditët në vijim do të vazhdojnë diskutimet bashkërisht.

"Vetëvendosje duhet t’i bashkohet LDK-së në ndërtimin e një epoke të re të ndryshimeve të mëdha, të cilat do të jenë historike dhe që do e çkapin shtetin nga krimi dhe korrupsioni", tha ajo.

Lidhur me deklarimet e Xhelal Sfeçlës, i cili e ka quajtur tinëzare LDK-në, Vjosa Osmani tha se deklaratat e tilla tregojnë se VV nuk ka pasur bashkëpunim të sinqertë dhe shpreson se ato mendime të mos të jenë edhe të lidershipit të saj.

Ndryshe, anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, akuzoi LDK-në për mos sinqeritet karshi kërkesave transparente të partisë së tij në lidhje me koalicionin parazgjedhor.

Ai madje e quajti vendim të pakoordinuar dhe tinëzar atë të LDK-së për të nxjerrë kandidat për kryeministër e sipas tij, kjo tregoi se ata nuk duan koalicion parazgjedhor.

“Kjo sjellje e LDK vazhdon qysh prej një viti, me hezitim e mos-sinqeritet përballë kërkesave transparente e publike të VV për bashkëpunim. Dhe është pikërisht kjo tinëzari e LDK që e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe brenda një viti, ndërkohë që ka rritur VV me të njëjtën margjinë. Tash, mbetet të shpresojmë që të paktën e mbajnë fjalën për të shkuar në zgjedhje vetëm. Populli ka marrë vendimin për ndryshim, Vetëvendosje prin, Albini është politikani më i votuar dhe më i mbështetur”, shkruan Sveçla në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat