Serbia përgatitet të parandalojë pranimin e Kosovës në Interpol

Aktuale

Serbia përgatitet të parandalojë pranimin e Kosovës në Interpol

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 17:22
Interpol

Zëvendëskryeministrat e Serbisë Nebojsa Stefanoviq dhe Ivica Daçiq diskutuan për aktivitetet e mëtutjeshme për të parandaluar pranimin e shtetit Kosovës në Interpol.

Ministrat shikuan hapat e ndërmarrë deri më tani nga MPB, por edhe autoritetet e tjera shtetërore në kundërshtimin e përpjekjeve të Kosovës për t'u bërë pjesë e një organizate ndërkombëtare policore.

Stefanoviq dhe Daçiq u pajtuan gjithashtu për aktivitetet konkrete që do të ndërmerren nga Asambleja e Përgjithshme e Interpolit në tetor në Kili për të parandaluar politizimin e organizatës.

Para së gjithash, siç është rënë dakord, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se ‘çdo pranim do të ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244’ të Këshillit të Sigurimit të KB, por edhe me rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Pekin, i cili përcakton qartë që vetëm vendet anëtare ose vëzhguesit e OKB-së mund të jenë pjesë e kësaj organizate policore, theksuan ministrat Stefanoviq dhe Daçiq.

Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në Interpol, më 31 janar të këtij viti dhe siç patën konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kjo kërkesë është pranuar nga Interpoli.

Më 20 nëntor 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në Interpol, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në Interpol kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare.

Më 2015 dhe 2016, Kosova kishte aplikuar, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme.

Më 2017, Kosova pati tërhequr vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat