Presioni ndërkombëtar e detyron Dhurata Hoxhën që ta anulojë njërin nga konkurset e kontestuara

Aktuale

Presioni ndërkombëtar e detyron Dhurata Hoxhën që ta anulojë njërin nga konkurset e kontestuara

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 19:48
Dhurata Hoxha

Pas më shumë se një muaji, Ministria e Integrimit Evropian, e udhëhequr nga Dhurata Hoxha e PDK-së, ka anuluar njërin nga 5 konkurset në këtë ministri.

Konkursi që ishte shpallur më 23 korrik për pozitën Zyrtare e lartë për asistencë zhvillimore, është anuluar dhe publikimi i këtij njoftimi është bërë në faqen e ministrisë, raporton KTV.

Pikërisht në këtë pozitë të punës, Mimozë Veliu që ka përfunduar studimet përmes programit Young Cell, kishte punuar vetëm 4 orë.

Veliu ishte njoftuar zyrtarisht edhe për nënshkrimin e kontratës, por të cilën kishte refuzuar ta nënshkruante sekretari i kësaj Ministrie, Kushtrim Cukaj.

Për këto konkurse të hapura nga Ministria e Integrimit, ka pasur në vazhdimësi reagime të ashpra të Zyrës së BE-së në Prishtinë, ambasadorit britanik Ruari O’Connell dhe nga organizatat e shoqërisë civile.

Kjo ministri është kritikuar se përmes këtyre konkurseve, po synon të punësojë militantë partiakë.

Rekrutimi i bursistëve përmes Skemës së profesionistëve të rinj, është obligim ndërkombëtar i Qeverisë së Kosovës, pas nënshkrimit të kontratave me bursistët dhe Komisionin Evropian, përmes marrëveshjes IPA.

Vendimi i Qeverisë i 10 tetorit 2012, saktëson obligimin e institucioneve për sistemimin dhe punësimin e bursistëve, në periudhë 3-vjeçare në Shërbimin civil.

35 punëtorët e stafit civil të Ministrisë së Integrimit Evropian, me shkresë zyrtare i ishin drejtuar Dhurata Hoxhës, duke i thënë se do të hyjnë në grevë, nëse kërkesat e tyre për anulim të konkursit nuk merren parasysh.

Gjithashtu, stafi civil është ankuar te ministrja në largim, Hoxha, se ndaj tyre janë ndërmarrë masa disiplinore, pas ngritjes së zërit për shkeljet rreth hapjes së konkursit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat