Ambasadori amerikan viziton KQZ-në para organizimit të zgjedhjeve

Aktuale

Ambasadori amerikan viziton KQZ-në para organizimit të zgjedhjeve

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 15:36
Valdete Daka dhe Philip Kosnett

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka vizituar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në këtë vizitë, Kosnett takoi kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën dhe anëtarët e KQZ-së, shkruan lajmi.net.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Daka i uroi mirëseardhje ambasadorit Kosnett për këtë vizitë, të cilën e vlerësoi lartë në këtë fazë të rëndësishme të angazhimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në anën tjetër, ambasadori Kosnett shprehu mbështetje për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019.

“Kosnett, në mesazhin e tij vuri theksin në rolin thelbësor të KQZ-së për proceset demokratike në Republikën e Kosovës si dhe përgëzoi KQZ-në për punën e deritanishme, duke e inkurajuar për të vazhduar në këtë drejtim”, bëhet e ditur në njoftimin e KQZ-së.

Ambasadori Konsett po ashtu bashkëbisedoi me anëtarët e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor, të cilët falënderuan ambasadorin amerikan për vizitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme të Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe KQZ-në në veçanti.

Anëtarët e KQZ-së shprehën përkushtimin e përbashkët për të punuar në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore në organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat