Mustafa: LDK ose kryeministrin ose veç e veç në zgjedhje me VV-në

Aktuale

Mustafa: LDK ose kryeministrin ose veç e veç në zgjedhje me VV-në

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 16:35
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta ketë kryeministrin, në të kundërtën me Lëvizjen Vetëvendosje mbetet të konkurrohet veç e veç në zgjedhjet e parakohshme.

Mustafa ka thënë se ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshjen me Vetëvendosjen lidhur me koalicionin parazgjedhor mes dy partive.

Sipas tij, nuk do të hyjnë në koalicion me asnjë parti tjetër pos Vetëvendosjes.

Mirëpo, ai ka shtuar se posti i kryeministrit po e zvarritë këtë çështje dhe po pamundëson marrëveshjen.

Mustafa: Ka mbetur që Vetëvendosje të jap reflektimin

“Kanë mbetur që ata të japin reflektimin e tyre lidhur me këtë, akoma nuk kemi ndonjë përgjigje. Natyrisht që ne jemi përcaktuar që koalicioni do të jetë i mundshëm për të cilin vlerësojmë se është i mirë që të bëhet sepse kemi objektiva të përbashkëta në forcimin e shtetit ligjor, dekriminalizimin e vendit, zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane, por që ajo duhet të bëhet, mos të them me një kusht por në një ambient në të cilin LDK do ta kishte kryeministrin për arsye se ne vetëm ashtu jemi të sigurt që mund të realizohet një program për të cilin ne jemi përkushtuar dhe ashtu kemi të disponuar edhe kemi deponimin e anëtarësisë së LDK-së. Çdo zgjidhje tjetër na qon në atë që të konkurrojmë veç e veç edhe ne edhe Vetëvendosje, të mbajmë relacionet që i kemi ndërtuar këto dy vite dhe pasi të përfundojë procesi zgjedhor, pas datës 6 tetor të ulemi prapë dhe të merremi vesh që qeverinë ta drejtojë ai i cili ka shumicën e deputetëve”, tha ai.

Mustafa tha se nuk ka ndonjë çështje tjetër që nuk janë pajtuar me Vetëvendosjen, përveç postit të kryeministrit, që sipas tij, po e zhagitë dhe pamundëson marrëveshjen.

 Mustafa: Posti i kryeministri po e pamundëson marrëveshjen

“Posti i Kryeministrit është ai që po e zhagitë ose po prolongon këtë proces dhe ndoshta edhe pamundëson marrëveshjen. Nuk është fjala për atë se ne po tentojnë tani të kemi pushtet ose ne ose, mos të flas për Vetëvendosjen, por është çështja për atë që ne duhet ta kemi timonierin e një programi qeverisës që ne besojmë se mund të implementohet”, tha ai.

Mustafa para mediave ka thënë se nuk hyjnë në asnjë koalicion tjetër përveç atij me Vetëvendosjen.

Mustafa tha se nga takimet që kanë pasur me Vetëvendosjen, është biseduar që nëse nuk munden tani ta bëjnë marrëveshjen, dëshirojnë të mbetët hapësirë që koalicioni të ndodh pas zgjedhjeve.

Mustafa: Nuk hyjmë me partner tjetër në zgjedhje, përveç Vetëvendosjes

“Ne nuk do të hyjmë me partner tjetër në zgjedhje, përpos me Vetëvendosjen, koalicion tjetër nuk do të bëjmë me asnjë subjekt tjetër, nëse e bëjmë me Vetëvendosjen, nëse nuk e bëjmë shkojmë vet dhe pastaj takohemi vet prapë pas datës 6 tetor”, tha ai.

Isa Mustafa nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë takimi me Albin Kurtin gjatë ditës së sotme, ndërkohë tha që nëse merren vesh me Lëvizjen Vetëvendosje, do ta prezantojnë menjëherë atë marrëveshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat