Isa Mustafa deklarohet pas ofertës së Albin Kurtit, ky është vendimi që mori

Aktuale

Isa Mustafa deklarohet pas ofertës së Albin Kurtit, ky është vendimi që mori

Nga: D.RR Më: 30 gusht 2019 Në ora: 17:19
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i është përgjigjur ofertës së Albin Kurtit, përcjellë "Bota sot".

Sipas letër së Mustafës, LDK-ja nuk ka disponim që ta pranojë ofertën, pasi vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë dhe kësisoj oferta refuzohet.

Letra e plotë:

Letër drejtuar Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Z. Albin Kurti

I nderuari Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti

Gjatë muajve, javëve dhe ditëve të fundit, LDK-ja ka punuar shumë dhe hapur, për të arritur një marrëvveshje bashkëpunimi me VV-në, me qëllim që të lidhim koalicion parazgjedhor dhe për të garuar së bashku më 6 tetor.
LDK-ja me kohë e ka bërë të ditur se njeh dhe e vlerëson pritshmërinë e qyetarëve të Kosovës për këtë bashkëpunim.
LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidites sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet.
LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udheheqë vendin.
Propozimi juaj shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet nesh, ndërsa kjo do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët.

Po ashtu, LDK-ja vlerëson se një listë pa një prijës të nominuar, është një listë pa krye dhe pa orientim të qartë.
LDK-ja shpreh gatishmërinë e plotë që të vijojë bashkëpunimin me VV-në, tani apo dhe pas zgjedhjeve dhe e konsideron atë si partner në kauzën për të shpëtuar vendin nga krimi, korrupsioni, zhvatja dhe për ta nxjerë vendin nga izolimi.

Me respekt, Isa Mustafa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat