Osmani: Nuk do të ketë hidrocentral mbi Lumëbardhë

Aktuale

Osmani: Nuk do të ketë hidrocentral mbi Lumëbardhë

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 19:55
Vjosa Osmani

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani sot pasdite është takuar me qytetarët e Pejës.

Ajo gjatë një fjalimi në parkun e paqes “Ibrahim Rugova në këtë qytet, tha se liderët e partive në pushtet kanë dhënë shembull të turpërimit, mashtrimit, vjedhjes dhe abuzimit me shtetin.

Po ashtu, tha se shteti ndërtohet me nder, jo duke vjedhur, teksa u zotua se shtetin e kapur do t’u kthejnë qytetarëve.

Osmani: Shtetin e Kosovës nuk e ndajmë, as nuk e zhbëjmë

“Çka kemi parë ne në këto vite është, se njëri thotë: ta korrigjojmë shtetin, e tjetri thotë s’kam kohë me u marrë me shtetin, se do të merrem me punë më të mëdha. E çka kanë qenë ato punë më të mëdha, skema korruptive. Prandaj, edhe ne do ta mbrojmë me guxim. Të nderuar qytetarë, ne shtetin e Kosovës as nuk e korrigjojmë, as nuk e ndajmë, as nuk e bashkojmë e as nuk e zhbëjmë, sepse Republika e Kosovës është projekt i përhershëm, nuk është i përkohshëm”, tha Osmani.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së ngriti edhe shqetësimin e ndërtimit të hidrocentralit mbi Lumëbardhë, për çka tha se si Qeveri së bashku me kryetarin e Pejës do ta parandalojnë dëmtimin e ambientit në Pejë dhe Rugovë.

Osmani: Nuk do të ketë hidrocentral mbi Lumëbardhë

“Ne guximin duhet ta mbajmë edhe nga rreziqe të tjera të brendshme. Kush më mirë se ju pejanët e dinë më mirë se çka do të thotë që njerëz të pa përgjegjshëm, për xhepat e tyre, e rrezikojnë shëndetin e juaj. Për xhepat e tyre rrezikojnë ambientin e juaj ku jetoni. E ju them se nuk do të ketë hidrocentral mbi Lumëbardhë dhe pikë. Gazmend (Muhaxheri) nuk do të jetë vetëm, sepse hidrocentralin do ta parandalojë Qeveria e Republikës së Kosovës, prandaj ne do të veprojmë me guxim”, theksoi Osmani.

Ndryshe, gjatë vizitës në Pejë, Vjosa Osmani është takuar me struktura të partisë dhe kryetari i Degës së LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat