Shpend Ahmeti lavdëron Shyqiri Bytyqin, e quan ndër ekspertët më të mirë tatimorë në Kosovë

Aktuale

Shpend Ahmeti lavdëron Shyqiri Bytyqin, e quan ndër ekspertët më të mirë tatimorë në Kosovë

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 13:25
Shyqyri Bytyqi dhe Shpend Ahmeti

Partisë Socialdemokrate sot i është bashkuar ish-ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi, e së bashku me të aktivitetin politik në PSD do ta zhvillojë edhe shefi i kabinetit të tij Baton Dushi, të cilët deri më tani kanë qenë pjesë e Nismës Socialdemokrate.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, gjatë prezantimit të Bytyqit tha se pjesë e PSD-së po bëhet një nga ekspertët më të mirë tatimorë që ka vendi.

Ahmeti tha se me aderimin e Bytyqit në PSD po fitojnë jo vetëm një reformator në arsim, por edhe një person që do të jetë kyç për reformat e politikave tatimore.

Ahmeti: Ministri në detyrë Shyqiri Bytyqi është anëtarësuar në PSD

“Prej sot, ministri në detyrë Shyqiri Bytyqi është anëtarësuar në Partinë Socialdemokrate dhe tash e tutje do të jemi në ekip bashkë për të punuar, për të arritur fitore më 6 tetor dhe natyrisht për të bërë reformat e nevojshme, të cilat janë tepër të domosdoshme për Republikën e Kosovës. Përveç faktit që është ministër në detyrë i Arsimit dhe ka qenë për këta dy vjetët e fundit, unë e njoh Shyqën si ndër ekspertët më të mirë tatimorë që i ka Republika e Kosovës. E ka të kryer Fakultetin ekonomik, megjithatë po e përmend disa prej gjërave, të cilat ka qenë i përfshirë prej vitit 2000, një ndër menaxherët e parë në Administratën Tatimore, kontabilist, auditor, por përveç kësaj është ligjërues i auditimit në Kosovë. E them me përgjegjësinë e plotë se ai është ndër ekspertët më të mirë tatimorë të cilin e ka Republika e Kosovës. Me Shyqën nuk po fitojmë vetëm një reformator në arsim, t ë cilin po e them në PSD do të jetë në gjendje t’i shtyjë edhe shumë më përpara se që e ka bërë deri më tani, në PSD do të jetë personi kryesor për këto reformat e politikave tatimore, për implementimin e tyre”, tha ai.

Ai tha se diskutimet i kanë filluar që një kohë dhe se Shyqiri Bytyqi ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e PSD-së.

Ndërsa, tashmë anëtari i PSD-së Shyqiri Bytyqi tha se gjithmonë ka qenë një përkrahës i politikave të majta.

Ai u shpreh i bindur se në partinë e re do të gjejë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin e tij.

Bytyqi: Nga sot aktivitetin tim politik do ta vazhdoj në PSD

“Nga sot aktivitetin tim politik do ta vazhdoj në PSD. Unë gjithmonë e kam thënë se në këto momente vazhdoj të përkrah politikat e majta. Majtizmi im, i cili është shprehur vazhdimisht, vjen pikërisht duke parë situatën në të cilën është duke kaluar vendi dhe konsideroj se politika socialdemokrate janë politika më se të nevojshme, të cilat i duhen tash për tash vendit. Besoj dhe jam shumë i sigurt që mikpritja që më është bërë nga kryetari dhe PSD është pikërisht hapësira e nevojshme që ne kemi nevojë që të gjithë të punojmë dhe të kontribuojmë për ndryshimet që ka nevojë vendi në shumë sfera, përfshirë edhe sistemin arsimor”, tha Bytyqi.

I pyetur se nëse PSD do të jetë në Qeverinë e ardhme a do të ketë pozitën e ministrit të Arsimit, Bytyqi u shpreh se për të është e rëndësishme që të gjejë një hapësirë ku mund të japë kontribut, ndërsa për çështje që janë të kohës, ai tha se PSD gjithmonë merr vendime që janë me vlerë për vendin.

Sa i përket listave të kandidatëve për deputetë, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti tha se kandidatët e tyre janë njerëz të pastër.

Ahmeti: Njerëzit dhe kandidatët e PSD-së janë të pastër

“Ne mund të garantojmë për PSD-në që njerëzit dhe kandidatët tonë janë njerëz të pastër, lërë më që nuk kanë aktakuza, por mendoj që janë të shquar për luftën që e kanë bërë kundër dukurive negative në shoqëri. Edhe me Shyqën nuk ka nevojë për të diskutuar fare ato punë, pasi besoj se kemi ndarë qëndrimet e njëjta sa i përket të gjitha dukurive negative. Edhe sot po e them, edhe Shyqa edhe unë e shohim që më së miri këto qëndrime i zbatojmë përmes PSD-së dhe bashkëpunimin, të cilin e kemi dhe do të jemi luftëtarë që këto gjëra mos të ndodhin. Në fund të fundit, unë e thash, në arsim nuk është çështja e një punësimi, por një mësues me nepotizëm i merr në qafë 30 fëmijë apo 28 sa janë nëpër klasa. Pra, gjithmonë kemi kujdes si në Komunën e Prishtinës dhe po ashtu do ta luftojmë këtë që rekrutimi në arsim të jetë transparent, të jetë i digjitalizuar dhe mos të ketë ndikim politik në këto punësime”, tha ai.

Ahmeti tha se të premten do të bëjnë publike listën e tyre, ndërsa të shtunën do ta kenë një aktivitet të përbashkët me AAK-në për të prezantuar të gjithë kandidatët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat