LDK-ja për paktin e Veselit: Nuk merremi me hipokrizitë e PDK-së

Aktuale

LDK-ja për paktin e Veselit: Nuk merremi me hipokrizitë e PDK-së

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 14:51
Foto ilustrim

Partia e Isa Mustafës nuk e ka ndërmend ta nënshkruajë Paktin Kundër Korrupsionit, të cilin sot e ka propozuar kreu i PDK-së, Kadri Veseli. Ai ka nënshkruar fillimisht një dokument 10 pikësh të quajtur Pakti Kundër Korrupsionit për të cilin ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në vend që të nënshkruajnë. E një pako e tillë, për zyrtarët e LDK-së është qesharake. Kjo ngase sipas LDK-së, një propozim i tillë po vjen nga partia e cila njihet për afera të ndryshme korruptive.

Gentiana HASANI

Janë 10 pika që flasin për luftën kundër korrupsionit të vendosura në një pako të cilën zyrtarët e PDK-së po kërkojnë nga të gjitha partitë në vend që ta nënshkruajnë. Kreu i PDK-së, gjatë ditës së sotme në një konferencë për media u shpreh se liderët e partive kosovare duhet ta kenë parasysh një pako të tillë e të mos fusin në lista zgjedhore persona që kanë aktakuza të ngritura për korrupsion.

Por një pako e tillë po u duket qesharake zyrtarëve të partisë së Isa Mustafës, pra LDK-së. Sekretari i këtij subjekti politik, Ismet Beqiri, ka deklaruar se ky propozim i PDK-së është pjesë e një fushate qesharake dhe të pakripë.

“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi. Me iu ofrua pako për nënshkrim të tjerëve për gjërat që PDK i ka bërë ndër vite, pra që nga qeverisja e pasluftës, është pak qesharake”, ka deklaruar Beqiri.

Ai ka thënë se një kërkesë e tillë e kreut të PDK-së po vjen në kuadër të fushatës së këtij subjekti politik.

“Kjo kërkesë e PDK-së është e pakripë dhe e ulët. Ne nuk kemi asnjë arsye për nënshkrimin e një pakoje të tillë. Veç me e lexu na vjen njëfarë irritimi sepse po vjen nga ata që pikërisht e kanë ngulfatur shtetin tonë, pra nga ata që e kanë bajraktarin për ngufatjen e shtetit”, sqaron, Ismet Beqiri.

Tutje, zyrtari i lartë i LDK-së është shprehur se partia e tij nuk e ka ndërmend ta nënshkruajë një pako të tillë.

“Ne kemi shumë punë më të mençur. Në kohë fushate veç sa me thanë diçka”, sqaron ai.

E njësoj si LDK-ja, pritet që të veprojë edhe partia e Shpend Ahmetit. PSD-ja ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“PDK-ja duhet të shkojë në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK-ja. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësojë”, tha Kuçi.

E pyetur se a është ky qëndrim i koalicionit AAK-PSD apo vetëm i partisë së saj, Kuçi ka thënë se ky qëndrim nuk përfaqëson koalicionin për vetëm partinë.

“Ky është vetëm qëndrimi i PSD-së, nuk është qëndrim i koalicionit”, tha ajo.

Sot gjatë ditës, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një konferencë për media ka prezantuar paktin prej 10 pikave që, sipas tij, do të jetë një hap konkret për luftimin e korrupsionit.

Veseli në konferencë tha se u bën thirrje të gjithë liderëve të partive politike që ta nënshkruajnë një pakt të tillë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat