Ilir Ferati konfirmon kandidimin për deputet: Tu tregojmë të gjithëve se LDK-ja është këtu dem baba dem

Aktuale

Ilir Ferati konfirmon kandidimin për deputet: Tu tregojmë të gjithëve se LDK-ja është këtu dem baba dem

Nga: G.B Më: 3 shtator 2019 Në ora: 15:28
Ilir Ferati

Ilir Ferati, djali i ish kryetarit të Istogut, Fadil Ferati, ka konfirmuar se ka marrë përkrahjen e degës në Istog, që të jetë në listën për kandidat në zgjedhjet e 6 tetorit, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se do tu tregojnë të gjithëve se LDK-ja në Istogun e Ibrahim Rugovës, Fadil Feratit, Shaban Manajt e shumë grave e burrave që me veprat e tyre e graviruan përjetësisht emrin e tyre në historinë e Kosovës, është këtu dem baba dem!

Postimi i tij i plotë në Facebook:

Të dashur miq, qytetarë të Istogut dhe Republikës, aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Dua të ju njoftoj që kam marrë përkrahjen e kryesisë së degës në Istog në krye me z.Haki Rugovën që në këto zgjedhje të 6 tetorit, të jem pjesë e listës fituese të LDK-së. Duke shprehur falenderimin më të sinqertë ndaj gjithë atyre që më besuan, ju garantoj se do të jem zëri Juaj dhe do të angazhohem me gjithë qenien time që Lidhja Demokratike e Kosovës të rikonfirmohet si forca e parë politike në vend dhe programi i saj të jetë programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës.

Kokën lartë e sy patrembur, të drejtë e njerëzor, të pa korruptueshëm e besnik ndaj popullit të vet. Ky ishte modeli i politikanit të mirë dhe mesazhi që jeta dhe vepra e Presidentit Rugova, Fadil Feratit, e shumë burrave të mëdhenjë të kësaj ane na e lanë për trashëgimi. Prandaj qysh nga sot, së bashku me Shkëmbin dhe Besartin, do të angazhohemi që të ju dëgjojmë, bashkëbisedojmë, dhe bashkërendojmë objektivat tona si qytetarë të Istogut e Republikës. Bashkë do e rikthejmë besimin dhe do vazhdojmë rrugën e trasuar nga gjithë ata burra të mëdhenjë që ishin para nesh.

Të udhëhequr nga kryeministrja e ardhshme e Republikës, znj. Vjosa Osmani, lista jonë është modeli më i mirë i gërshetimit të profesionalizmit, politikbërjes, dhe njerëzores – kualitete që i mungojnë skenës politike tash e ca vite.

Andaj, me përkrahjen Tuaj e me ndihmën e Zotit, duke filluar nga sot, le të punojmë fort, le të punojmë bashkë, në mënyrë që t’i kultivojmë ato kualitete njerëzore, profesionale, e politike në shtëpinë e popullit tonë - Kuvendin e Kosovës.

Bashkë, le të u tregojmë të gjithëve se LDK-ja në Istogun e Ibrahim Rugovës, Fadil Feratit, Shaban Manajt e shumë grave e burrave që me veprat e tyre e graviruan përjetësisht emrin e tyre në historinë e Kosovës, është këtu dem baba dem!

FITORE ✌️ !!

Me shumë respekt,
I juaji,

Ilir FADIL Ferati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat