Thaçi: Heroi Xhavit Haziri - emblema e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës

Aktuale

Thaçi: Heroi Xhavit Haziri - emblema e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 17:11
Hashim Thaçi

E mundimshme dhe plot sakrifica ishte rruga e lirisë, ndaj duke kujtuar të kaluarën duhet të ndërtojmë të ardhmen, pasi lufta e Xhavit Hazirit me shokë nuk ka përfunduar.

Kështu u tha me rastin e përurimit të shtatores së heroit Xhavit Haziri, sot në Obiliq.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se do të shkruhen shumë libra, monografi e dokumentarë për rolin e Xhavit Hazirit, pasi heroi i kombit ishte personaliteti eminent për liri, shtet dhe bashkim kombëtar. Sipas tij, Xhavit Haziri është emblema e shtetit të Kosovës.

Thaçi: Xhavit Haziri është emblema e UÇK-së

“Xhaviti ishte mjeshtër i organizmit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Njeri i pathyeshëm në burgjet serbe e në të njëjtën kohë për t’u rikthyer gjithmonë sipas burgut të parë, por gjithë ashtu edhe pas vuajtjes së burgut të dytë në organizim, e pastaj pas vitit ’97-’98 duke ardhur edhe drejtpërdrejt në istikamet e luftës, duke i vizituar zonat operative të UÇK-së, si dhe duke bashkërenduar aktivitetet me simbolin e rezistencës Adem Demaçi në Prishtinë, dhe të gjitha ato angazhime emblematike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Andaj për veprën dhe jetën e Xhavitit do të shkruhet e do të flitet shumë. Xhavit Haziri është emblema e UÇK-së, e shtetit të Kosovës dhe bashkimit kombëtar”, theksoi Thaçi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se sot kësaj vatre të kulturës, dijes e artit po i shtohet edhe shtatorja e heroit Xhavit Haziri, dhe në këtë mënyrë po konfirmohet respekti për ata që kanë bërë shumë për lirinë tonë.

Haradinaj: Xhaviti ishte pjesë e luftës për liri

“Gjatë rrugëtimit të tij e shohim se ai rrugëton bashkë me Kosovën, bashkë me shqiptarët, bashkë me ndjenjën shqiptare se rezistenca e jonë duhet ta arrijë kulmin e vet të një rezistence të armatosur të luftës për liri. Edhe për fat nuk ju mohua edhe kjo mundësi, pas vuajtjes së burgjeve dhe pas veprimtarisë së vet, arriti po ashtu të bëhet pjesë e luftës për liri”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i PDK-së Kadri Veseli heroin Xhavit Haziri e quajti ideolog i veprimeve të armatosura.

Veseli: Ideolog i veprimeve të armatosura ka qenë pikërisht Xhavit Haziri

“Ideolog i organizimit, i veprimeve të armatosura kundër ish-Jugosllavisë, ka qenë pikërisht Xhavit Haziri. I tillë ka rënë edhe në burgun e dytë, nuk kanë mundur asnjë fjalë t’ia nxjerrin. I ka njohur të gjitha grupimet, të cilat kanë ndodhur deri në atë kohë. Ka qëndruar për gjithë ato vite dhe në ditën e parë që u kthye nga burgu, prapë ka vazhduar, ka rilidhë vetveten me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Veseli.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se jeta dhe vepra e Xhavitit dhe shumë dëshmorëve të tjerë që ranë për atdhe është dëshmi e gjallë e rrugës së gjatë dhe mundit për liri.

Gashi: Sot përjetësuam në bronz veprën e lavdishme të heroit Xhavit Haziri

“Sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe kombin shqiptar. Sot, përjetësuam në bronz veprën e lavdishme të heroit tonë, Xhavit Haziri, e cila do të ndërtohet dhe do të përcillet ndër breza. Heronjtë dhe dëshmorët e kombit me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë duke e ndjekur porositë e tyre do t’i kujtojmë të gjallë në ndërgjegjen tonë kombëtare e njerëzore, sepse kush i nderon dëshmorët, nderon popullin”, tha Gashi.

Në emër të bashkëveprimtarëve të tij foli Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së, i cili tha se nderimi për heroin Haziri njëherësh është edhe nderim i kombit dhe historisë sonë.

Ahmeti: Të nderosh njerëz si Xhaviti, nderon kombin, nderon historinë

“Përshëndetje nga zemra për kryetarin e komunës, sepse të nderosh njerëz si Xhaviti, nderon kombin, nderon historinë, mbi të gjitha sakrificën e panumërta që kanë bërë shqiptarët dhe në mesin e atyre shqiptarëve, i madhi Xhavit Haziri”, tha Ahmeti.

Përurimi i kësaj shtatoreje u bë me rastin e ditëlindjes së 59-të të Xhavit Hazirit, ndërsa më 17 shtator mbushen 21 vjet nga zhdukja e tij, kur u rrëmbye në Prishtinë nga shërbimi sekret serb në mënyrë tinëzare.

Xhavit Haziri ishte promotor i krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai dha kontribut edhe në luftën për liri e ribashkim kombëtar dhe nga vitet 80-të ishte në LPK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat