Vjosa Osmani pritet me fishekzjarrë në “Kodrën e Trimave” - Bota Sot
Vjosa Osmani pritet me fishekzjarrë në “Kodrën e Trimave”

Aktuale

Vjosa Osmani pritet me fishekzjarrë në “Kodrën e Trimave”

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 17:43
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Kandidatja e LDK-së për kryeministër Vjosa Osmani është pritur me fishekzjarrë sot në një tubim në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, teksa para simpatizantëve dhe anëtarëve të kësaj partie ajo kërkoi mobilizim nacional “për të ngritur Kosovën në piedestalin e merituar”.

Osmani foli edhe për paktin e Kadri Veselit kundër korrupsionit, ku tha se nuk do ta nënshkruajnë këtë pakt ‘me ata që janë vetë korrupsioni’. Ajo u tha qytetarëve të lagjes “Kodra e Trimave”, se është bërë boll durimi me njerëz të padijshëm, që sipas saj kuletën e shtetit e kanë konsideruar të veten.

Image

Osmani: Boll ma me njerëz që kuletën e shtetit e konsiderojnë të veten

“Boll ma kemi duruar, boll ma me njerëz të padijshëm që kuletën e shtetit ta konsiderojnë të veten, boll me mashtrues që e shkëmbejnë të ardhmen e fëmijëve tanë me interes të vetin personal, u bo boll. Tash pikërisht ata që i bën të gjitha të zezat i thonë LDK-së që s’ka guxim, LDK-së po i thonë, Kodrës së Trimave po i thonë s’ka guxim? Po i thonë nuk ke guxim. Një parti që i rezistoi një armiku që jo vetëm ishte fqinj në rajon, përforcohej nga shtete të tjera si Rusia”, tha Osmani.

Ajo tha se shteti mbrohet me dije dhe jo me muskuj, dhe se nuk mendon shtetin ta ndërtojë me retorikë.

Osmani tha se presidenti Ibrahim Rugova ua ka lënë amanet secilit Republikën e Kosovës. Ajo tha se shtetin duhet ta mbrojnë, qoftë nga rreziqet prej jashtë apo brenda.     

Sipas saj, rreziku më i madh janë të korruptuarit, dhe se është koha t’i thuhet mjaft mentalitetit plaçkitës.

Osmani: LDK nuk nënshkruan pakt me të korruptuarit

“Thonë ta nënshkruajmë një pakt. Me kë, me ata që kurrë nuk respektuan asnjë pakt, ata që shkelën çdo marrëveshje. Të nënshkruajmë pakt kundër korrupsionit, me ata që janë korrupsioni vetë. Është e pamundur. Ne e kemi vetëm një pakt, ai është me qytetarët e Kosovës. A jeni të gatshëm të udhëhiqni edhe 20 vjet nga njerëz, të cilëve ua ka mbyll dyert Shtëpia e Bardhë? Ka ardhur koha që amanetin (e presidentit Rugova) që shtetin ta ndërtojmë e mbajmë me miq ta bëjmë realitet”, tha Osmani.

Ajo tha se duhet mobilizim nacional, të zgjidhen e ta ringritin edhe njëherë Republikën e Kosovës në piedestalin që e meriton.

Osmani tha se nuk ka cep të Kosovës që nuk e di kontributin e lagjes “Kodra e Trimave”, që sipas saj, është simbol i rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur. Aty, Osmanit iu premtua se do ta shoqërojnë me vota të shumta nga kjo lagje, që u quajt lagjja e LDK-së.

Vjosa Osmani takim me strukturat e LDK-së dhe qytetarë (Drejtpërdrejt)

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani takohet me struktura të LDK-së dhe qytetarë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...