Fatmir Limaj i përgjigjet Kadri Veselit për Paktin kundër korrupsionit

Aktuale

Fatmir Limaj i përgjigjet Kadri Veselit për Paktin kundër korrupsionit

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 13:30
Fatmir Limaj

‘Paktin kundër korrupsionit’ të Kadri Veselit nuk po e merr seriozisht askush prej partive politike në Kosovë. Përveç LDK’së, AAK’së e Vetëvendosjes, një nismë të tillë të Veselit po e quan trik elektoral edhe kreu i NISMA’s, Fatmir Limaj.

Fatmir Limaj, thotë se ‘Pakti i Veselit’ është një trik që po bëhet në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

“Ne e kuptojmë që ky është trik elektoral i kompanisë së PR (Public Relations)” ka thënë Limaj.

Për Limajn, dokumente të tilla nuk kanë rëndësi pasi që Kosova ka mjaftueshëm ligje të cilat e dënojnë dhe e parandalojnë korrupsionin, e sipas tij mjafton vetëm respektimi i ligjeve.

“Kosova i ka ligjet e veta, ne nuk mundemi të ndihmojmë në PR”, potencon Limaj,  duke shtuar se NISMA nuk është pjesë e asaj kompanie.

E nënshkrimin e këtij dokumenti nuk e ka parë të arsyeshme as partneri i Limajt në koalicionin parazgjedhor, Behgjet Pacolli.

Për Pacollin, nuk është problem nënshkrimi i një dokumenti që do të nënkuptonte luftimin e korrupsionit, por çfarë kuptimi do të kishte nëse nuk zbatohet.

“Unë nuk e di sepse vetëm sa kam ardhur prej rrugës, por nëse ka ndonjë pakt ne po e nënshkruajmë atë, s’ka problem, por ky nënshkrim nuk e di çka vlen nëse njerëzit e nënshkruajnë, por nuk e zbatojnë atë” ka thënë Pacolli.

Këto propozime nga Veseli po u duken qesharake zyrtarëve të partisë së Isa Mustafës.

Sekretari i këtij subjekti politik, Ismet Beqiri, ka deklaruar se ky propozim i PDK-së është pjesë e një fushate qesharake dhe të pakripë.

“Së pari duhet ta dimë se Veseli nuk është në pozitën të flasë për luftën kundër korrupsionit. Një pako e tillë dhe një kërkesë e tillë është hipokrizi. Me iu ofrua pako për nënshkrim të tjerëve për gjërat që PDK i ka bërë ndër vite, pra që nga qeverisja e pasluftës, është pak qesharake”, ka deklaruar Beqiri për Express.

Edhe këshilltari i Ramush Haradinajt, Erolld Belegu, i ishte përgjigjur ftesës së Kadri Veselit ndaj liderëve të tjerë të vendit për ta nënshkruar dokumentin prej dhjetë pikave për luftimin e korrupsionit. Duke thënë se sa është qesharake aq edhe e dhimbshme.

“Kadri Veseli thërret për luftë kundër korrupsionit. Qesharake apo e dhimbshme? Apo të dyja?”, shkroi Belegu.

Edhe PSD-ja ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

“PDK duhet të shkojë në opozitë. I ka bërë mjaft dëme vendit. Sigurisht që nuk do të nënshkruajmë asgjë që propozohet nga PDK-ja. Qytetarët do të vendosin me votë se kush do t’i përfaqësojë”, tha Kuçi.

E nga Lëvizja Vetëvendosje thonë që paktin kundër korrupsionit do ta nënshkruajnë qytetarët më 6 tetor, pasi sipas tyre partia e Veselit është ‘kultivuese’ e korrupsionit.

“Paktin kundër korrupsionit do ta nënshkruajnë qytetaret e Kosovës me datën 6 Tetor duke e votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe duke i dhënë goditje korrupsionit dhe partive qe e kane “kultivuar” korrupsionin, e qe njëra nder to është edhe partia te cilës i prinë z.Veseli”, ka thënë Rexhep Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat