Partitë politike nisin fushatën para afatit ligjor

Aktuale

Partitë politike nisin fushatën para afatit ligjor

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 14:46
Partitë politike

Kanë mbetur më pak se një muaj, deri në ditën kur zyrtarisht fillon fushata zgjedhore, për zgjedhjet e parakohshme.

Megjithatë, partitë politike me kandidatët e tyre për kryeministër tash e sa ditë e kanë filluar fushatën, duke organizuar tubime e takime të ndryshme me elektoratin.

Njohës të çështjeve politike thonë se që nga shpallja e Pavarësisë, nuk ka pasur respektim të afateve ligjore për fushatë, gjë që tregon pasigurinë e partive politike të cilët nuk mjaftohen me ditët e parapara për të shpalosur programet e tyre para qytetarëve.

E, partitë politike zotohen se këto takime nuk po ndodhin vetëm tani,  por se në vazhdimësi kanë zhvilluar takime  e aktivitete në terren.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri thotë se parafushata nuk është ligjore. Derisa shton se partitë politike, këtë nuk e quajnë fushatë, por ‘aktivitet politik’.

Tahiri: Me ligj fushata është dhjetë ditë

“Kjo nuk është ligjore një herë, sepse me ligj fushata është dhjetë ditë, për zgjedhjet e parakohshme, këta nuk e konsiderojnë fushatë, e konsiderojnë aktivitet partiak...Ani që është e mjaftueshme këta dëshirojnë që të zënë hapësirë... nuk janë të sigurt për zgjedhjet, nuk janë të sigurt për numrin e deputetëve që i marrin edhe koha prej dhjetë ditëve nuk i duket e mjaftueshme. Edhe nuk kanë bërë program, dhe duan të zënë vend më herët, nuk është e ligjshme, KQZ nuk reagon sepse nuk e kanë si fushatë të tillë partiake”, shprehet Tahiri.

Në anën tjetër, Blerta Aliu nga KDI thotë se këto aktivitete nuk dallojnë shumë me ato të fushatës zgjedhore, megjithatë sipas saj me ligjet në Kosovë nuk ndalohen aktivitetet e tilla.

Aliu: Në mungesë të një reforme zgjedhore, partitë janë të lira (Video) 01:21’...

“Në mungesë të një reforme zgjedhore që do ta bënte një përcaktim për periudhën e para fushatës zgjedhore, atëherë partitë politike, janë të lira të organizohen ashtu siç duan edhe para kësaj periudhe. Gjatë periudhës së fushatës vijnë në shprehje pastaj disa rregulla, e kemi kodin e mirësjelljes për partitë politike, për kandidatët që do të thotë aktivizohen në momentin kur fillojnë ditët e fushatës zgjedhore, kemi një varg rregullash që duhen të respektohen. Partitë politike duhet të kenë kujdes që të mos nxisin urrejtje në tubimet e tyre, të mos keqpërdoren resurset publike në favor të fushatës, të mos pengojnë produktet e partive të tjera”, deklaron Aliu.

Ngjashëm mendon edhe  drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, i cili monitoron partitë politike. Ai ka thënë se asnjë  subjekt politik nuk përjashtohet nga kjo praktikë, ndërsa shton se të njëjtat nuk po respektojnë afatet ligjore për fushatë.

Demhasaj: Nuk kemi respektim të afateve ligjore për fushatë 

“Ligjërisht është e paraparë se kur fillon fushata edhe sa zgjat, në kushtet e zgjedhjeve të rregullta, fushata zgjat 30 ditë, ndërsa në situatën kur kemi zgjedhje të parakohshme siç janë tash, fushata zgjat vetëm 10 ditë, kështu që dihet kur fillon fushata ligjërisht, por kjo nuk respektohet asnjëherë brenda partive politike. Gjithmonë e shohim që partitë politike e fillojnë fushatën akoma pa u nisur zyrtarisht fushata dhe këtë e bëjnë të gjitha partitë politike, dhe kjo bëhet pothuajse në të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovë të paktën prej shpalljes së Pavarësisë e tutje nuk kemi respektim të afateve ligjore për fushatë”, thotë Demhasaj.

Sipas Demhasaj, këto 10 ditë fushatë nuk do të jenë të mjaftueshme për partitë politike.     

Parafushatën  e ka nisur tash e sa ditë, kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.  Megjithatë, thotë se këso takime ka mbajtur edhe në kohën kur ishte deputete.

Osmani: Është krejtësisht e natyrshme

“Unë edhe si deputete kam mbajtur kontakte me qytetarë, ecje të tilla, edhe shumë më herët edhe pasi t’i fillojmë diskutimet tona. Pra, është krejtësisht e natyrshme, por edhe praktikë që zhvillohet në vendet demokratike që edhe kur fushata zyrtare e cila shfrytëzohet për shpalosje të programit, është dhjetë ditëshe siç është kjo e jona, që kontaktet me qytetarë, diskutimet me ta, përçimi i mesazheve politike të  bëhet shumë më herët. Pra është praktikë demokratike që mund ta shihni nga ShBA-të e deri tek vendet e Evropës”, deklaron Osmani.

Takime, e tubime me elektoratin po mban edhe Nisma Socialdemokrate, e cila do të garojë në zgjedhje në koalicion me AKR-në.

Çerkin Dukolli, nga kjo parti, arsyeton se Nisma Socialdemokrate ka qenë gjithmonë në terren për të vizituar qytetarët.

Dukolli: Fushata do të jetë sipas kornizave 

“Ajo çfarë është me rëndësi, votuesit tanë, elektorati jonë, aktivistët tanë, në terren në asnjë moment realisht nuk kanë qenë të heshtur, ne në vazhdimësi vizitojmë qytetarët, vizitojmë elektoratin tonë, njihemi me hallet e tyre, marrim imputet e tyre, kërkesat e tyre. Dhe të gjitha këto kërkesa të qytetarëve, ne tentojmë dhe punojmë në vazhdimësi që t’i kthejmë në programe qeveritare, kjo është ideja. Gjithsesi që fushata do të jetë sipas kornizave 10 ditëshe”, thotë Dukolli.

Natyra Kuçi, zyrtare për media në Partinë Socialdemokrate thotë se takimet me qytetarët janë të vlefshme dhe duhen bërë sa më shumë.

Kuçi: Takimet me qytetarët janë të vlefshme

“Unë mendoj që të gjitha partitë  janë duke takuar njerëz, kjo është mirë. Secili subjekt me takime, afër qytetarëve, është mirë të jetë në vazhdimësi, jo vetëm në fushatë, por unë mendoj që politika dhe njerëzit në politikë duhet të jenë afër qytetarëve gjatë gjithë vitit. Sigurisht që dhjetë ditëshi i fushatës do të shfrytëzohet ndryshe, mirëpo takimet me qytetarët janë të vlefshme, dhe duhet bërë sa më shumë”, shton ajo.

Takime të tilla i kanë shpeshtuar ditëve të fundit, edhe partitë tjera  politike parlamentare, e kryesisht ato më të mëdhatë, si: Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës,  koalicioni AAK- PSD dhe ai AKR- Nisma Socialdemokrate.

Fushata Zgjedhore zyrtarisht fillon me 25 shtator, dhe përfundon me 4 tetor,  ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 6 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat