Vjosa Osmani bën një zotim në Drenas

Aktuale

Vjosa Osmani bën një zotim në Drenas

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 14:56
Vjosa Osmani ka vizituar të mërkurën parkun e Bizneseve në Drenas.

(E plotësuar) - Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se duhet t'i jepet fund praktikave ku shteti ka hise në biznese, teksa ka bërë të ditur se shumë shpejt do të finalizohet lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie.

Ajo gjatë një vizite te Parku i Bizneseve në Drenas tha se këto biznese duhet të kenë barazi para ligjit.

Osmani: LDK është mik i bizneseve

"Është kënaqësi që sot vizitojmë bizneset e suksesshme, të cilat janë krenaria e këtij vendi. Ne si LDK gjithnjë kemi dëshmuar se jemi miq të bizneseve, jo vetëm nëpërmjet përkrahjes që i kemi dhënë me pako fiskale me mundësi tjera që të eliminohen barrierat procedurale, por mbi të gjitha besojmë thellësisht se këto biznese kanë nevojë për barazi para ligjit. Barazia para ligjit është parakushti themelor që edhe të eliminohen monopolet edhe të eliminohen skemat korruptive", ka thënë Osmani.

Ajo tha se duhet të eliminohet çdo pengesë dhe barrierë për bizneset.

Image

Osmani: T'i japim fund praktikave ku shteti ka hise në biznese

"Do t'i japim fund praktikave ku shteti ka hise në biznese", tha ajo.

Sa i përket përfaqësuesit të LDK-së në KQZ, pas dorëheqjes së Florian Dushit, Osmani tha se është çështje teknike dhe se do të rregullohet shpejt.

Osmani: Dorëheqja e Dushit nga KQZ, do të rregullohet shumë shpejt kjo punë

"Është çështje teknike. Besoj se do të rregullohet shumë shpejt ajo punë. LDK ka aq shumë kuadro sidomos në një fushë të tillë, kështu që ka aq shumë mundësi për të zgjedhur", tha Osmani.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre tha se nesër do të ketë draftin e parë të listës së deputetëve, derisa më datën 6 shtator do të finalizohet lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie.

***

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka vizituar të mërkurën parkun e Bizneseve në Drenas.

Ajo u zotua se nuk do të lejojnë që politika të ketë hise në biznese.  

Osmani shtoi se në programin e tyre qeverisës do t'i jepet hapësirë bizneseve private, duke u krijuar kushte të mira për të bërë biznes.

Kandidatja për kryeministre mes tjerash tha se nesër do të jetë gati një draft sa i përket listës së deputetëve, dhe se deri me datën 6 shtator do të jetë e kompletuar, në ditën  kur edhe përfundon afati për dorëzimin e listave në KQZ.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat