Haradinaj akuzon PDK dhe LDK për kapje të shtetit

Aktuale

Haradinaj akuzon PDK dhe LDK për kapje të shtetit

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 12:32
Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj ka fajësuar sot Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për kapje të shtetit.

Duke folur për kandidatët me aktakuza dhe kapjen e shtetit në debatin e radhës “Talk to Talk” të Kolegjit Riinvest, Haradinaj ka thënë se nuk është meritor për asnjërën nga këto, pasi janë PDK-ja dhe LDK-ja që kanë qenë pothuajse konstante në pushtet.

Krejt çka i takon atij të japë llogari, kryeministri në detyrë tha se është nëse nuk ka bërë mjaftueshëm për çkapjen e shtetit.

Haradinaj: Për kapjen e shtetit janë përgjegjëse PDK dhe LDK

“Përgjegjës për kapje të shtetit janë ata që kanë mbajtur përgjegjësi, në këtë rast, në nivelin nacional janë PDK dhe LDK. PDK më shumë, por edhe LDK është përgjegjëse dhe ata duhet të japin llogari para tjerëve pse ka ndodhur kapja e shtetit. Mund të ketë kritika për mua pse s’kam bërë më shumë për çkapjen e shtetit nga shtatori deri më tash, dhe jam dakord t’i jap llogaritë e mia. Por, nuk mundem me qenë meritor për kapjen e shtetit, të cilën në 2017 kam marrë detyrat në punë dhe nuk jam emërues as i kuadrit të lartë në gjyqësor, as në prokurori, as diku tjetër”, tha ai.

I pyetur nëse AAK do të përfshijë në listën e kandidatëve për deputet persona që kanë aktakuza, ai tha se përderisa ligji e lejon kandidimin e këtyre të fundit në zgjedhje, një gjë të tillë nuk do ta ndalojë as ai në partinë e tij.

Sipas tij, është mirë që pikëpyetjet të mbyllen me ligj. Ai theksoi se AAK nuk do të nxjerrë norma të reja, porse shtoi se nëse Kosova vlerëson me se duhet të ndërrojë ligjet, atëherë janë për.

Ai përmendi edhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha që vjen nga radhët e AAK-së, e që ndaj tij ka aktakuzë për rastin e veteranëve të luftës.

Haradinaj: Rrustem Berishës nuk mund t’ia ndaloj kandidaturën për deputet

“Për shembull, unë e kam Rrustem Berishën, ministrin e Mbrojtjes. Ai është i përfshirë në aktakuzën për veteranët. Nuk e di çfarë përgjegjësie ka pasur ose ka ai realisht, qysh është përfshirë aty. Tash unë me ia ndalu atij kandidaturën është tepër e çuditshme. Ligji nuk ia ndalon, ai e ka besimin me udhëheq me Ministrinë e Mbrojtjes. S’ka logjikë, dalë jashtë çdo parametri të të drejtave të njeriut, lirive politike të cilat vetëm gjykata mund t’ia ndalojë”, tha Haradinaj.

Duke folur për këtë, ai akuzoi sërish PDK-në dhe LDK-në që nuk kanë ndryshuar ligjet, kurse tash kur janë afër zgjedhjet thirren në atë se nuk kanë njerëz me aktakuza në listat e tyre.

Haradinaj: PDK-LDK nuk i kanë ndryshuar ligjet, thonë se s’kanë njerëz me aktakuza

“PDK dhe LDK, se tash këto janë më të zëshme. Këto janë në pushtet prej pasluftës në vazhdimësi, gjithë kohën, nga 99 deri më sot. Këta nuk i kanë ndryshuar ligjet, dhe sot dalin pse janë zgjedhjet 3 javë përpara, dhe thonë se: ‘ne nuk kemi njerëz me aktakuza’. Më falni, por ju keni qenë edhe kadia edhe gjyqtari tërë kohën. Pse nuk i keni ndryshuar këto ligje, me ia mundësuar popullit me qenë i mbrojtur si duhet”, u shpreh ai.     

I pyetur për listat e veteranëve, Haradinaj mohoi se Kosova ka 60 mijë veteranë, teksa theksoi se nuk do të lejojë askënd të nëpërkëmbë veteranët.

Haradinaj: Nuk e di se janë 60 mijë veteranë

“Unë nuk e di se ku e merrni ju këtë numër. Nuk e di se janë 60 mijë veteranë, ju lutem interesohuni për numra sa janë. Nuk e di saktë. Këtë që po thotë dikush 60 mijë, nuk e di pse thotë. Nëse e keni gjetur diku se janë 60 mijë, unë mund ta shoh. Por, ne punojmë me statistikë”, u shpreh Haradinaj.

Krejt në fund, ai foli edhe për dialogun me Serbinë dhe reciprocitetin, me ç’rast pati një porosi për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Haradinaj: Kushdo që i fiton zgjedhjet, mos të hyjë në obligime të gabuara me Serbinë

“I kisha lut kushdo që i fiton zgjedhjet, ne synojmë për t’i fituar, i kisha lutur mos të hyjnë në obligime të gabuara të reciprocitetit, sepse do t’i vuajnë pasojat shumë shpejt. Nëse dikush mendon me e heq taksën me reciprocitet, çfarë do të jap pastaj për njohje, sepse nuk është problemi i pezullimit për njohje, problemi është që Serbia vetëm për t’u kthyer në tavolinë po e kërkon tregun, e pastaj për njohjen që mendohet se është sakrificë më e madhe çfarë do të kërkojë. Çka do të japin këta të mençurit e Kosovës, Albini, Isa, Vjosa, Kadriu ose Hashimi”, u shpreh Haradinaj.

Ai ka porositur po ashtu se kushdo që e përfaqëson Kosovën pas zgjedhjeve të 6 tetorit, nuk duhet harrojë se përfaqëson një vend sovran.

AAK-ja do të kandidojë me një listë të përbashkët me PSD-në e Shpend Ahmetit, pasi kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor, ndërsa sa i përket përfaqësimit të grave në këtë listë, Haradinaj tha se do të respektojnë kuotën prej 30 për qind. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat