Dy të plagosurit në Lagjen e Spitalit mbesin në mjekim intensiv

Aktuale

Dy të plagosurit në Lagjen e Spitalit mbesin në mjekim intensiv

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 12:33
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në përkujdesje intenzive po vazhdojnë të qëndrojnë dy të plagosurit gjatë ditës së djeshme në Lagjen e Spitalit në kryeqytet, e që aktualisht gjendja e tyre është stabile sa i përket parametrave vitale.

Shefi i intensives Shaqir Uka tha për KosovaPress, se gjendja e të dy të plagosurve paraqitet të jetë stabile dhe se janë të fjetur me barna.

Uka: Dy pacientët janë sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në mjekimin intensiv

“Dy pacientët e lënduar me armë zjarri të cilët kanë ardhur dje në Qendrën Emergjente pas ekzaminimeve dhe pas intervenimit kirurgjik që është dashur të realizohet, janë sjellë për trajtim të mëtutjeshëm në mjekimin intensiv. Gjendja për momentin paraqitet me qenë stabile sa i përket parametrave vital të cilat jemi duke i përcjellë, gjithmonë nën veprimin e barnave dhe aparaturës përcjellëse. Ata janë të fjetur me barna dhe vazhdon trajtimi sipas protokollit”, tha ai.

Uka tha se ende nuk mund të thonë se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

Uka: Është shumë herët për të dhënë vlerësime se janë jashtë rrezikut për jetë

“ Jo, është shumë herët për të dhënë asi vlerësime. Ne jemi edhe më tutje në fazën e realizimit të ekzaminimeve shtesë të cilat nuk kanë arritur të realizohen dje për shkak të gjendjes urgjente të tyre”, tha ai..

Ai ka dhënë detaje sa i përket lëndimeve që kanë marrë dy të plagosurit.

Uka: Njëri prej pacientëve ka një plagë, lëndim me armë zjarri në regjionin e kokës

“Njëri prej pacientëve ka një plagë, lëndim me armë zjarri në regjionin e kokës. Kurse pacienti tjetër ka plagë, gjegjësisht lëndime me armë zjarri në pjesët tjera të organizmit, gjegjësisht në anën e majtë në njërën prej enëve të gjakut të cilat furnizojnë ekstremitetet e poshtme. Kjo ka qenë arsyeja që është dashur të intervenohet kirurgjikisht dhe ka disa plagë të tjera të cilat janë në fazën e ekzaminimit”, u shpreh ai.

Gjatë ditës së djeshme në përleshjen që ka ndodhur në mes dy familjeve, dy persona kanë mbetur të vdekur.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se pas një mosmarrëveshje ka ardhur deri tek të shtënat me armë zjarri në mes të pesë të dyshuarve meshkuj.

“Si pasojë e të shtënave dy persona kanë vdekur në QKUK, ndërsa tre të tjerë janë plagosur. Në vendin e ngjarjes është konfiskuar një armë zjarri AK-47 dhe një pistoletë. Me vendim të prokurorit dy nga të plagosurit pas tretmanit mjekësor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa i plagosuri tjetër ka mbetur në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor dhe është nën përkujdesje të policisë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat