Veseli në 20 vjetorin e Policisë: Bashkë me ju do ta fuqizojmë Kosovën

Aktuale

Veseli në 20 vjetorin e Policisë: Bashkë me ju do ta fuqizojmë Kosovën

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 12:50
Kadri Veseli

Ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se rendi dhe siguria në Kosovë janë në nivelet më të larta, falë përkushtimit të burrave e grave që bartin uniformën e Policisë së Kosovës, andaj sipas tij, Policia ka nevojë për mbështetje më të madhe nga shteti.

Ai tha se Policia dhe Ushtria e Kosovës janë institucionet më profesionale dhe më të pakorruptuara në rajon.

Në këtë 20-vjetor, Veseli ka shprehur nderim dhe respekt për heronjtë që kanë rënë në altarin e lirisë, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të gjithë policët që kanë rënë në krye të detyrës.

Veseli theksoi se Policia e Kosovës duhet të jetë e pakompromis ndaj  krimit, korrupsionit, nepotizmit, pasi që, siç tha ai, luftimi i këtyre dukurive i hap perspektivë vendit për zhvillim ekonomik, mirëqenie më të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Duke i luftuar këto dukuri i hapim perspektivë vendit edhe për integrime euroatlantike dhe nuk kemi nevojë që ta lusim askënd që të na i liberalizojë vizat, por i liberalizojmë vet, për arsye se zhvillojmë vendin tonë, me sundim të ligjit, dhe atëherë edhe partnerët tanë do të jenë më respektues edhe ndaj neve si identitet shtetëror dhe si komb i ri në Bashkimin Evropian”, tha Veseli.

Ai u zotua se do të bëhet më shumë në mbështetje të policisë, ushtrisë dhe të gjitha institucionet e sigurisë, në përmirësimin e kushteve të punës, por edhe ngritjen e pagave.

“Do të bëjmë më shumë që t’i përkrahim Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës, qoftë sigurinë jetësore të tyre, qoftë përmirësimin e kushteve të punës për policët, por edhe në ngritjen e pagave, për arsye se liria dhe siguria janë thelbi i një shteti, por kur është aty mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, atëherë ka kuptimësi edhe më të madhe”, tha Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat