Bislimi i VV-së: Listën e përfundojmë në mbëmje, i kandidojmë Sylën dhe Kurteshin

Aktuale

Bislimi i VV-së: Listën e përfundojmë në mbëmje, i kandidojmë Sylën dhe Kurteshin

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 15:54
Albin Kurti, Sami Kurteshi dhe Shemsi Syla

Në votimin e anëtarëve të Këshillit të Qendres së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan Sami Kurteshi dhe Shemsi Syla, nuk kanë marrë votat e mjaftueshme në listën e kandidatëve për deputetë. Media ditën e djeshme ka kontaktuar të dy ish-deputetët të cilët kanë thënë se respektojnë vendimin e degës dhe presin nga Këshilli i Përgjithshëm nëse do të vendosë që ata të kandidojnë. Shefi i shtabit zgjedhor të LVV-së, Besnik Bislimi ka konfirmuar se ish-deputetët Sami Kurteshi dhe Shemsi Syla do të jenë në listën e VV-së për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, dje ka mbajtur mbledhjen e tij ku ka nominuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin kandidat për Kryeministër.

Lista e kandidatëve për deputetë nga kjo parti ende nuk është bërë publike, kurse sot është afati i fundit për subjektet politike që të dorëzojnë emrat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Besnik Bislimi, nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje dhe shef i shtabit zgjedhor të partisë në këto zgjedhje ka thënë se sot në mbrëmje përfundohet lista me emrat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës që do të garojnë për t’u bërë pjesë e legjislaturës së shtatë.

“Sot në mbrëmje përfundohet lista” ka thënë Bislimi.

Ai  ka konfirmuar se megjithatë ish-deputetët Sami Kurteshi dhe Shemsi Syla edhe pse nuk kanë marrë votat e anëtarëve të Këshillit të Qendrës së LVV-së në Gjilan, do të jenë në listën e kandidatëve për deputetë.

“Natyrisht se Sami Kurteshi dhe Shemsi Syla do të jenë pjesë e listës. Lëvizja ka qenë shumë e kënaqur me kontributin e secilit deputet të saj në legjislaturën e kaluar”, ka deklaruar Bislimi.

Këshilli i Qendrës së VV-së pardje në Gjilan ka zgjedhur gjashtë kandidatë për deputetë. Në mesin e tyre vetëm ish-deputeti Ismajl Kurteshi ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për t’u kandiduar në listën për deputetë në  mesin e gjashtë kandidatëve nga kjo degë ku janë votuar  tre burra dhe tri gra, Nevzad Isufi, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Ismajl Kurteshi, Arijeta Rexhepi, Labinotë Demi-Murtezi dhe Alban Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat