Javë tronditëse: Qytetarët po vriten për prona - Bota Sot
Javë tronditëse: Qytetarët po vriten për prona

Aktuale

Javë tronditëse: Qytetarët po vriten për prona

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 09:22
Vrasja ne Prishtine

Kosova u trondit nga dy raste të ndara të vrasjeve që ndodhën gjatë kësaj jave. Në të dy këto raste dyshohet se prona u bë shkak që qytetarët të bëjnë vetëgjyqësi duke e anashkaluar kështu gjithë sistemin e drejtësisë. Njëra vrasje dyshohet se u bë për një copë trotuari, ndërkohë ajo e Lipjanit për një karrocë.

Të mërkurën vendi u trondit nga një vrasje e cila ndodhi në njërën nga lagjet më të banuara në Prishtinë, në ‘Mati 1’, saktësisht në rrugën ‘Muharrem Fejza’, ku Bashkim Mehmeti dhe Mefail Rafuna u vranë e dy mbetën të plagosur. Veç tre ditë pas, pra të shtunën,  nipat u therren me thikë. Edhe këtu ngjarja dyshohet se ndodhi për motive pronësore. Në këtë rast mbeti i vdekur Fadil Krasniqi 42-vjeçar nga Lipjani.

Por si ndodhi e gjithë kjo ngjarje e rëndë:

Qytetarët problemet që kanë me prona nuk po ia lënë sistemit të drejtësisë, por, po bëjnë vetëgjyqësi. Një përleshje fizike me armë të ftohta e cila ndodhi dje rreth orës 15:00, në rrugën Lidhja e Prizrenit, në Lipjan i mori jetën Fadil Krasniqit 42-vjeçar.

E gjithë ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi pasi që një familjar e kishte vendosur një karrocë para derës së shtëpisë së tjetrit. Djali i hallës e vrau djalin e dajës.

Image

Për Express, detaje për këtë rast ka dhënë prokurori prokurori Iliaz Beqiri.

“Djalë daje dhe djalë halle kanë qenë mes vete. Ka ndodhur për motive pronësore. Njëri nga familjarët e kishte vendosur një karrocë me çimento para shtëpisë së tjetrit, e kështu filloi konflikti”, tha Beqiri.

Viktima, i lindur në vitin 1977, ishte komshi dhe familjar me të dyshuarin për vrasje, tashmë edhe familjar. Burime të  medias thanë se viktima me profesion ishte kasap dhe kishte punuar edhe në një kompani sigurimi.

E vrasja në Prishtinë në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna po dyshohet se u bë për një pjesë betoni, jo më të madhe se 1 metër katror. Aty të mërkurën mbetën të vdekur dy persona një i Mehmetëve e tjetri i Rafunëve e u plagosën tre të tjerë, dy nga ta në gjendje të rëndë.

Por si ndodhi e gjithë kjo ngjarje e rëndë në Prishtinë:

Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë në fqinjësi të mirë. Por, para disa muajve, familjet ia dhanë pronën, në këmbim të disa banesave e lokaleve, një kompanie private. Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit e përfunduan të mërkurën, me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën.

Shenja gjaku ende vërehen në lagjen ‘Muharrem Fejza’ në Prishtinë. Aty ku javën që e lam pas ndodhi një ngjarje, e cila i ngjasonte më shumë filmave aksion se sa një realiteti. Me armë në duar përfshirë edhe një “Kallash” ose  AK- 47, tre persona, nga familja Rafuna e  Mehmeti, nisën përleshjen mes vete, dy persona mbetën të vrarë, Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna.

Sipas dy familjeve, dyshimet e para për këtë rast kanë të bëjmë me disa mosmarrëveshje për një copë trotuari.

Për një vit pesë persona u vranë për pronë

Vetëm këtë vit, po bëhen pesë vrasje që kanë ndodhur për shkak të pronës apo kontesteve pronësore.

Njëra ndodhi në fshatin Marmull të Gjakovës, ku i vdekur mbeti Tun Bezhi, 40 vjeçar. I arrestuar në këtë rast ishte Alfred Gjugja, ku policia gjatë arrestimit të tij kishte konfiskuar armën me të cilën dyshohet se Gjugja kreu veprën penale. Ndërsa, Prokuroria e Gjakovës, për rastin ishte është deklaruar se motivet mund të jenë për shkaqe pronësore.

Vrasja e dytë ndodhi fshatin Sadovinë të Vitisë, ku 59-vjeçari Muhamet Ismaili u rrah për vdekje nga kushërinjtë. Konkretisht në fshatin Sodovinë e Qerkezve, komuna Viti, si pasojë e një rrahje mes dy familjeve, në të cilën janë përdorur mjete të forta, një person është privuar nga jeta, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.Për këtë rast, janë arrestuar 5 (pesë) persona, të dyshuarit B.I. dhe F.I., për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Vrasje’’, ndërsa të dyshuarit I.I., I.I. dhe S.I., për shkak të veprës penale ‘’Pjesëmarrje në rrahje’’.

Ndërsa, të mërkurën e ëktij muaji e të shtunën , humbën jetën tre persona për shkak të konflikteve për pronë.

Policia e Kosovës rastet e vrasjeve i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve tek organet kompetente.

Ata bëjnë të ditur se vitin e kaluar kanë ndodhur gjithsej 32 raste të vrasjeve për problemin e njëjtë.

“Ne në vazhdimësi kemi ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla. Duke ju referuar të dhënave në Policinë  e Kosovës për rastet nga Neni 178 ‘Vrasje’, për vitin 2019 nga data 01.01.2019 deri 06.05.2019 janë evidentuar gjithsej 2 vrasje. Ndërsa në vitin 2018 kemi pasur gjithsej 32 raste të vrasjeve”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...