Haki Raqi s’e komenton vendimin e LDK-së për ta larguar nga lista e deputetëve

Aktuale

Haki Raqi s’e komenton vendimin e LDK-së për ta larguar nga lista e deputetëve

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 16:42
Haki Raqi

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka vendosur ta largojë nga lista e kandidatëve për deputetë të partisë së tij, Haki Raqin. E ky i fundit nuk po do ta komentojë veprimin e Mustafës

I kontaktuar për ta komentuar vendimin e Mustafës për largim nga lista e deputetëve, Raqi nuk ka dashur të flasë, duke u arsyetuar se është i zënë.

“Jam i zënë për momentin” ka thënë Raqi, në momentin që e ka kuptuar që po kontaktohet nga media.

Mustafa përmes një statusi në Facebook tha të shtunën se në listën e partisë së tij nuk do të ktë kandidatë të cilët kanë pasur probleme me ligjin.

“Çdo kandidat i LDK-së që identifikohet se ka pasur dhe ka problem me ligjin do të nxirret nga lista për deputetë të LDK-së. Do të veprohet sipas ligjit edhe për z. Raçi”, shkroi Mustafa.

Para rreth katër vitesh, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka akuzuar për korrupsion Raqin dhe tre zyrtarë të komunës së Obiliqit.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, u dënuan vetëm 5 drejtues dhe përfaqësues të kompanive private të cilat kishin përfituar dobi nga shtrimi i rrugës në fjalë. Dy prej tyre u dënuan më së shumti me dy vite burgim joefektiv dhe me gjoba që varionin nga 3000 deri në 4000 euro vlerë.

E prokurori special kishte apeluar këtë vendim, duke kërkuar që Gjykata e Apelit ta anulojë ose ta ndryshojë vendimin e Themelores, pasi sipas prokurorit të shtetit ka mjaftueshëm prova që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale që ish-ngarkuar në maj të këtij viti.

Në arsyetimin e tij, prokurori kishte treguar sesi gjatë procesit gjyqësor, gjykata ka liruar nga akuzat të gjithë zyrtarët komunal, përfshirë edhe ish-kryetari e Obiliqit, Mehmet Krasniqin, derisa ka dënuar disa nga drejtuesit dhe përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë që kanë përfituar jashtëligjshëm nga tenderët e Komunës, duke kryer veprën penale të mashtrimit.

Po ashtu, Prokurori në apelimin e tij kishte përmendur se si Raqi, kishte pranuar shkeljet në detyrë por ishte shpallur i pafajshëm.

“I akuzuari Haki Raqi me rastin e caktimit si Menaxher i Projektit “Vazhdimi i Asfaltimit të Rrugës në Brezic-Lagja Koskovi” e ka ditur se 250 metra rrugë në Lagjen Koskovik ishin punuar/kryer jashtë kontratës, dhe i njëjti pranon që këto 2050 metra të pranohen zyrtarisht në kuadër të projektit tjetër në të cilin ky ishte caktuar si menaxher i projektit”, arsyeton pretendimet e veta Prokuroria Speciale në ankesën e 28 korrikut 2017.

Haki Raqi, si zyrtar i Komunës së Obliqit, në janar të 2016 ishte dënuar me 5 muaj dënim me burg dhe 2500 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në një tjetër rast gjyqësorë bashkë më dy zyrtarë tjerë komunal.

Ndërkaq, edhe pse është larguar nga lista e kandidatëve për deputetë, Raqi po vazhdon t’i japë përkrahje kandidates së LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmanit. Në profilin e tij në Facebook, Raqi po i shpërndan aktivitetet e bashkëpartiakes së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat