Kadri Veseli: Kosova nuk guxon të qëndrojë e izoluar

Aktuale

Kadri Veseli: Kosova nuk guxon të qëndrojë e izoluar

Më: 8 shtator 2019 Në ora: 21:44
Kadri Veseli

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se ai e di që shumë qytetarë janë të zhgënjyer nga politika dhe sot nuk besojnë në të.

Mirëpo ai thotë se e di arsyen si dhe e di përgjigjen.

“Na duhet më shumë nder, besim dhe guxim!”, ka shkruar ai.

“Shumë kohë para se ta dija se do të kishte zgjedhje, vendosa të veproj kundër fenomenit të korrupsionit dhe mashtrimit me listat e veteranëve. I largova nga detyra këdo që kishte aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm, sepse besova që për të bërë ndryshimin, duhet që atë ta fillojmë nga vetja.”

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Kosova nuk guxon të kthehet pas. Nuk guxon të ndalet. Nuk guxon të qëndrojë e izoluar. Kosova duhet të ecë përpara. Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë qëllimi. Ato janë mënyra e realizimit të vizionit dhe ëndrrës sonë të përbashkët për këtë vend.

Unë e di se shumë qytetarë janë zhgënjyer nga politika dhe sot nuk besojnë në të. E di arsyen, e di përgjigjen. Na duhet më shumë nder, besim dhe guxim!

Shumë kohë para se ta dija se do të kishte zgjedhje, vendosa të veproj kundër fenomenit të korrupsionit dhe mashtrimit me listat e veteranëve. I largova nga detyra këdo që kishte aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm, sepse besova që për të bërë ndryshimin, duhet që atë ta fillojmë nga vetja.

Nuk ju kam gënjyer asnjëherë, edhe pse ndoshta s’kam ditur ta them gjithnjë si duhet të vërtetën. Kam luftuar dhe do të luftoj me gjithë shpirt, bashkë me ju.

Unë kam hyrë në luftë për Kosovën. Sot jam në politikë për Kosovën dhe vetëm për Kosovën.

Për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve, ju thërras të gjithëve që të bëhemi bashkë. PDK është familja juaj. Është zëri juaj. Është forca juaj. Dhe, unë si Kryeministër i Kosovës, jam gati që bashkë me ju, ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë.

Ta ndërtojmë të ardhmen. Për ty. Për shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat