Thaçi në Osaka, siguron pjesëmarrjen e Kosovës në Panairin më të madh ekonomik në botë

Aktuale

Thaçi në Osaka, siguron pjesëmarrjen e Kosovës në Panairin më të madh ekonomik në botë

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 08:38
Pamje nga takimi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës shtetërore në Japoni ka zhvilluar takime të shumta në Osaka dhe Kyoto.

Për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit ekonomik ndërmjet dy shteteve, presidenti Thaçi fillimisht ka zhvilluar një takim me përfaqësues të odave ekonomike të Japonisë si dhe me deputetë të Parlamentit japonez që vijnë nga ky rajon.

Në këtë takim të përbashkët, presidenti Thaçi ka theksuar se tani është koha që të krijojmë disa shembuj konkret të investimeve japoneze në Kosovë. Ai ka thënë se ambienti i të bërit biznes në Republikën e Kosovës është më konkurrenti në rajon.

“Ne jemi vendi i 40-të në ranglistën e Bankës Botërore për të bërit biznes. Kosova lehtë mund të shndërrohet në një qendër të bizneseve dhe investimeve japoneze që kanë për synim tregun evropian sepse kemi qasje të papenguar në tregun më të madh në botë, atë të BE-së”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se edhe Republika e Kosovës është e interesuar që të eksportojë produktet e veta në Japoni, të cilat janë duke u eksportuar edhe në shtete tjera të botës.

“Shumë shpejt do të emërojmë një konsull nderi në Osaka, i cili do të jetë një urë lidhëse ndërmjet shteteve, popujve dhe bizneseve tona”, ka paralajmëruar presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, nikoqirët e këtij takimi, deputetët e Parlamentit të Japonisë nga kjo zonë, Yasuhide Nakayama, Naomi Tokashiki si dhe Presidenti i Odës Ekonomike të Osakës, Tsutomu MIYAGI janë shprehur të lumtur për nivelin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve, duke theksuar nevojën që ky bashkëpunim të rritet edhe më shumë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të odave të ndryshme japoneze, të shoqatës së Kansai të drejtorëve të korporatave si dhe të Federatës së Biznesit të Kansai, e cila ka anëtarësi prej 1300 bizneseve, organizatave dhe korporatave.

Në këtë takim u konfirmua pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në panairin më të madh në botë “Osaka Expo 2025”, ku vendi ynë ka siguruar një pavion për promovimin e mundësive investive dhe produkteve të bizneseve.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat