“Lata”: I kërkova Kadri Veselit të mos më fusë në listë

Aktuale

“Lata”: I kërkova Kadri Veselit të mos më fusë në listë

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 18:28
Latif Gashi

Ish-deputeti i PDK-së Latif Gashi, përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë Facebook ka njoftuar opinionin se s’do të jetë kandidat për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai ndër të tjera ka shkruar se ka qenë vet kërkesë e tij ndaj kryetarit të partisë, Kadri Veseli, që mos të garojë edhe për një mandat tjetër, dërisa është shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve për besimin, por edhe subjektit të tij.

Ky është postimi i tij i plotë:

Tani kur u publikua lista e PDK-së, për deputet, pata shumë telefonata, mesazhe telefonike, të cilët janë interesuar, pse emri im nuk është në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Qytetarë të dashur, dua t’iu njoftoj që ishte kërkesë e imja personale ndaj Kryetarit Kadri Veseli, që mos të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Unë do të vazhdojë të jem pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës e udhëhequr nga Kryetari Veseli , të cilës ia kam falur gjithë besimin tim si dhe prej të cilës jam emëruar anëtar i Shtabit Zgjedhor të PDK-së për zgjedhjet e vitit 2019.

Në legjislaturën e katërt dhe në legjislaturën e pestë, më keni dhënë besimin që të jam deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në veçanti besim absolut më është dhënë nga qytetarët Llapjan, për të cilin besim iu jam mirënjohës dhe falënderues dhe që Partia Demokratike e Kosovës respektivisht organet e saj më besuan të jem anëtar i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.

Jam përpjekur dhe shpresoj që ia kam dalë të jap kontribut maksimal për vendin dhe qytetarët, të gjitha i kam bërë me shumë kënaqësi, siç i takon një veprimtari që ka fatin jetësor, të jap kontribut në të gjitha proceset historike nëpër të cilat ka kaluar atdheu jonë Kosova.

Gjaku i dëshmorëve, i derdhur për këtë vend, gjymtyrët e humbura të invalidëve të luftës, sakrifica e qytetarëve, do të janë busolla ime jetësore.

Gjithmonë, do të jem mirënjohës dhe falënderues ndihmës së madhe të aleatëve tanë, SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Anglisë si dhe të gjithë atyre që na ndihmuan në përpjekjen tonë për të pasur këtë Shtet, që tash e kemi.

Konsideroj se me veprime konkrete duhet krijuar hapësirë gjeneratave të reja.

PDK, sot ka qindra e mijëra kuadro të reja, të udhëhequr nga Kadri Veseli.

Kosova nuk guxon të kthehet pas.

Nuk guxon të ndalet.

Nuk guxon të qëndrojë e izoluar.

Kosova duhet të ecë përpara.

Zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë qëllimi, ato janë mënyra e realizimit të vizionit dhe ëndërrës sonë të përbashkët për këtë vend.

Për të mirën e Kosovës, për të mirën e fëmijëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të moshuarve ju bëj thirrje të gjithëve që të bëhemi bashkë.

PDK është familja juaj.

Është zëri juaj – është forca juaj.

Kadri Veseli si Kryeministër i Kosovës, është gati që bashkë me ju ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë.

Ta ndërtojmë të ardhmen, Për ty dhe Shtetin

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat