KMDLNj: Ndërhyrja e SBAShK-ut, standard i dyfishtë para zgjedhjeve

Aktuale

KMDLNj: Ndërhyrja e SBAShK-ut, standard i dyfishtë para zgjedhjeve

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 10:20
Foto Ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka akuzuar SBASHK-un se çdo fillim të vitit shkollor sajon pretekste për organizimin e grevave, duke e quajtur standard të dyfishtë para zgjedhjeve.

“Vitin e kaluar shkaktuan kaos pikërisht në fillim të vitit shkollor duke paralizuar procesin arsimorë të cilin e kushtëzuan me rritjen e pagave të mësimdhënësve në ndërkohë që pasi politika ua përmbushi kërkesat, nuk pranuan t’i kompensojnë orët e humbura e që për mospunën e tyre i merrnin pagat sikur edhe të mirat e tjera që iu takojnë në kohën kur punojnë. SBASHK-u, vitin e kaluar me grevën tipike shantazuese dëmtuan rëndë të drejtat e nxënësve për të vijuar një proces normal arsimorë sikur edhe dëmtuan prindërit që i dërgonin fëmijët e tyre në shkolla por se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk lejoheshin të hyjnë brenda nga garda pretoriane e Rrahman Jasharajt, njeriu i dytë për ndikim dhe fuqi në botë menjëherë pas Donald Trampit”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Në atë kohë KMDLNj thotë se pati kërkuar nga SBASHK-u që përveç kërkesës për rritje të pagave të bëjnë kërkesë edhe për përmirësimin e kushteve për nxënës, sigurimin e kushteve që nxënësit të mos e ndërprejnë procesin e shkollimit (sidomos femrat) dhe të sigurohen kushte për nxënësit që detyrohen të shkojnë në shkollë duke ecur për faktin se nuk kishin transport të siguruar.

“SBASHK-u në atë kohë deklaronte ata i përfaqësojnë interesat (materiale) të mësimdhënësve por jo edhe të nxënësve. Tash, kur në komunën e Kamenicës kanë filluar disa reforma në arsim përkatësisht racionalizimi i shfrytëzimit të objekteve shkollore e që janë përgjegjësi ekskluzive e komunës, SBASHK-u , duke e sajuar cilësimin se gjendja në komunën e Kamenicës në fushën e arsimit si shumë të rëndë, kërcënon me grevë, tash në “mbrojtje” të interesave të nxënësve dhe prindërve të tyre...” , thekson KMDLNj.

Në rastin konkret, thotë KMDLNj, ndërhyrja e SBASHK-ut në përgjegjësitë ekskluzive të komunës së Kamenicës në fushën e arsimit është e kundërligjshme, e dënueshme dhe e papranueshme.

“Me kërcënime dhe greva shantazhuese, kryesisht për rritje të pagave, SBASHK-u po e merr rolin e arbitrit suprem në fushën e arsimit duke suspenduar në këtë mënyrë mandatin ligjor që e kanë DKA dhe MASHT”, vazhdon KMDLNj.

Ky këshill thotë se është sinjifikative që SBASHK-u, aktivitetet dhe kërcënimet shantazhuese për grevë po i intensifikon pikërisht para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, me të cilën po u dërgon ofertë të qartë subjekteve apo koalicioneve politike se janë të gatshëm ta vazhdojnë dhe përforcojnë raportin klientelist sikur edhe patën vepruar në zgjedhjet e vitit 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat