AAK-PSD prezantojnë programin e tyre qeverisës, premtohet rritje ekonomike

Aktuale

AAK-PSD prezantojnë programin e tyre qeverisës, premtohet rritje ekonomike

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 19:27
Shpend Ahmeti dhe Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë prezantuar sot programin e tyre qeverisës, ku u tha se programi 100 për qind Kosovë është program qeverisës.

Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, tha se e kanë programin e tyre 100 për qind Kosovë, derisa ka adresuar kritika PDK-së e LDK-së.

"Kemi programin tonë 100 për qind shtet. Vijmë në momentumin e duhur për t’i prirë Kosovës. Shpikja e kauzave si lufta kundër korrupsionit e atyre që e kanë krijuar atë korrupsion. Mashtrimi që i bëhet Kosovës nga një subjekt politik me pastërti. Jemi 100 për qind Kosova, e dimë kufirin mes të mirës dhe të keqes. Ne nuk i humbim kohë Kosovës, ne e dimë se si është mënyra më e saktë për t’u zhvilluar vendin. Unë shquhem për zbatim, meritën që ia jap vetit është zbatimi. E kemi pa te LDK një pamundësi në zbatim, e kemi pa te PDK një drejtim të gabuar në zbatim”, tha ai.

Haradinaj shprehu besimin se gjatë qeverisjes së ardhshme nën drejtimin e tij, vendi do të ketë një rritje ekonomike mbi 6 për qind dhe vende të reja pune, por edhe rritje të buxhetit.

“Ne mund t’i rrisim pagat në sektorin privat. Ne e kemi bë një ligj që TVSH mos të bëhet në kufi. Fitorja është çdo herë e vështirë, kësaj here ia vlen t’i kalojmë krejt peripecitë për të fituar. Ju lus ta bëjmë realitet këtë fitore", tha ai.

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, tha se koalicioni AAK-PSD e ka liderin që do të shtyjë përpara programin të cilin e kanë hartuar.

"Te politika e jashtme, ka qenë e dëmshme qasja e ministrave të jashtëm që e kanë lidhur me Serbinë. Qeveritë prej 2010 kanë lejuar që gjithçka të ndërlidhet me dialogun me Serbinë, e kemi ndal këtë. Te çështja e sigurisë, ne e kemi bërë Qeverinë. E kemi krijuar ushtrinë. Te policia dëshirojmë të rrisim numrin e policëve. Tek infrastruktura, duhet të vazhdojë projekti për autostradën e Dukagjinit", tha ai.

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Visar Ymeri, ka folur për zhvillimin ekonomik, për të cilin tha se ka në fokus qytetarin, zhvillimin e industrisë, sektorin privat.

“Koalicioni 100 për qind do ta themelojë fondin zhvillimor që do të jetë në funksion të ndërmarrjeve për të rritur kapacitetet, numrin e punëtorëve. Ky fond do të jetë në dispozicion të ndërmarrësve kosovare", tha ai.

Shqipe Pantina, kandidate për deputete, ka folur për arsimin dhe shëndetësinë.

"Fëmijëve shteti duhet t’iu garantoj përkujdesje qysh në moshë të re. Ndërtimi i çerdheve. Natyrisht që përveç që duhet të ofrojmë dije duhet t’iu ofrojmë vizita mjekësore sistematike. Duhet të bëhet riorganizimi i nxënësve nëpër klasa. Digjitalizimi i shkollave është shumë i rëndësishëm. Shteti duhet t’iu japë më shumë hapësirë talenteve të reja në sport dhe kulturë. Arsimi i lartë ka nevojë për ngritje të cilësisë. Ne e dimë se ka nevojë për ndryshime shëndetësore në Kosovë, ai duhet të jetë falas për të gjithë. Ne kemi votuar rezolutën për shtesat e fëmijëve", tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat