Osmani: Si kryeministre nuk e shoh rolin e presidentit afër meje

Aktuale

Osmani: Si kryeministre nuk e shoh rolin e presidentit afër meje

Më: 12 shtator 2019 Në ora: 13:43
Osmani: Si kryeministre nuk e shoh rolin e presidentit afër meje

Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani tha se nuk e sheh rolin e presidentit afër vetes, në rast se arrin të vihet në krye të ekzekutivit, por e rëndësishme është që ta mbajë opozitën.

Ajo këto komente i bëri sot gjatë debatit të radhës "Talk the Talk" të Kolegjit Riinvest, ku u pyet nëse do të iniciojë shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi.

Osmani nuk i kurseu kritikat për të prin e vendit, teksa tha se detyra e presidentit është thjesht të dekretojë një marrëveshje të ratifikuar në parlament.

Osmani: Nuk e shoh rolin e presidentit afër meje, do të mbaj afër opozitën

“Sikur presidenti aktual ta luante rolin e tij kushtetues për krijimin e unitetit politik etj., ai do të mund të ndihmonte. Por, çka ka bërë në këto dy vite (presidenti Thaçi), është pikërisht përçarja e skenës politike. Ka krijuar një përçarje të jashtëzakonshme me idetë e tij për ndryshim kufijsh. Pra, unë nuk e shoh rolin e presidentit afër meje. Por, atë që unë do ta mbaj afër do të jetë opozita në parlamentin e ardhshëm”, tha Osmani.

E pyetur për vizitat që do t’i bënte së pari si kryeministre, Osmani tha se nëse vihet në krye të ekzekutivit, vendin e parë që do ta vizitonte është SHBA-ja, për shkak të rolit në shtet-ndërtimin e vendit. Ndërsa shtoi se po aq e rëndësishme është edhe vizita në Gjermani.

Osmani: SHBA dhe Gjermania ndër vendet e para që do t’i vizitoj si kryeministre

“Synimi im është që vizita ime e parë të bëhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak se është shteti që ka qenë përkrah nesh jo vetëm në kohët më të errëta, por që ka rolin kyç në procesin e shtet-ndërtimit. Kjo nuk e bën më pak të rëndësishëm asnjë vend tjetër në Evropë. Po aq e rëndësishme është edhe Gjermania”, tha ajo.

Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë, me ç'rast u shpreh se duhet të ketë përfshirje të të gjithë akterëve në këtë proces.

Sipas saj, duhet dhënë fund situatave kur opozita në vend se t’i bashkohet procesit, ka tentuar që me dhunë të ndalte ato.

Osmani: Dialogu do të udhëhiqet nga kryeministrja, pres bashkëpunimin e të gjitha partive

“Dialogu do të udhëhiqet nga kryeministrja me ekipin e saj, por ne e kemi gjithnjë derën hapur në transparencë të plotë, që të kemi të gjitha partitë politike afër, që të ndërtojmë qëndrimet bashkë me ta, që të kemi një rol shumë më të madh të parlamentit. Unë nuk dua të shkoj në Bruksel, ta përfundoj marrëveshjen, e ta vendos parlamentin para një akti të kryer. Unë mandatin do ta marr nga parlamenti... Pra, pres që secila parti politike të jetë bashkëpunuese në këtë aspekt, sepse derën e bashkëpunimit do ta kenë të hapur të gjithë, sepse secila ka ekspertizë”, u shpreh ajo.

Gjatë këtij debati, ajo bëri të ditur se LDK tashmë ka përgatitur programin e saj qeverisës, ndërsa theksoi brenda pak ditësh do të bëhet publik për qytetarët e Kosovës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat