Thaçi takoi guvernatoren e Tokios, i kërkoi binjakëzim me Prishtinën

Aktuale

Thaçi takoi guvernatoren e Tokios, i kërkoi binjakëzim me Prishtinën

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 08:43
Hashim Thaçi dhe Yuriko Koike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur në takim nga guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike.

Thaçi fillimisht e ka falënderuar atë për mbështetjen që ajo, deputetë të Parlamentit dhe Qeveria japoneze i ka dhënë popullit të Kosovës në vitet më të vështira të luftës.

“Jemi shumë mirënjohës që gjatë dhe menjëherë pas luftës ju personalisht keni ndihmuar refugjatët e Kosovës”, tha ai.

Guvernatorja Koike ka kujtuar si ka organizuar dorëzimin e shtëpive që janë përdorur nga popullata japoneze pas tërmetit në Kobe në vitin 1995.

Ajo ka thënë se ende mban në mend pamjet e luftës dhe të refugjatëve të Kosovës.

Ndërkaq presidenti Thaçi ka theksuar se mbështetja në ditët më të vështira të luftës është bazament i fortë i bashkëpunimit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.

“Në frymë të zgjerimit dhe forcimit të këtyre marrëdhënieve, do të ishte në interes të përbashkët që të kemi një binjakëzim të dy kryeqyteteve tona. Përvoja e Tokios do të ishte përcaktuese për zhvillimin e kryeqytetit tonë”, ka shtuar ai.

Kreu i shtetit ka përgëzuar guvernatoren për përgatitjet që janë bërë në organizmin e Lojërave Olimpike më 2020, ku Kosova pritet të përfaqësohet nga shumë atletë.

“Jam i bindur se Kosova edhe kësaj radhe do të fitojë medalje”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Koike iu ka uruar atletëve kosovarë suksese në këto gara, sidomos xhudistëve kosovare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat