Kusari-Lila tregon pse ka hyrë në listë me Vetëvendosjen

Aktuale

Kusari-Lila tregon pse ka hyrë në listë me Vetëvendosjen

Më: 13 shtator 2019 Në ora: 22:43
Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës dhe kandidatja për deputete në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari e ftuar në emisionin Pressing të televizionit T7 ka treguar se pse ajo e ka zgjedhur koalicionin me Vetëvendosjen e jo me LDK’në. Kusari gjithashtu ka dhënë edhe detaje rreth bisedave që i ka pasur më Ramush Haradinaj.

Ish-kryetarja e Gjakovës ka thënë se ajo e ka zgjedhur Vetëvendosjen sepse negociatat me të kanë filluar më herët.

“Me Vetëvendosjen kemi filluar shumë më herët dhe ka ardhur natyrshëm” tha ajo, duke shtuar se LDK ka pasur prioritet “çështje të ndryshme, zgjedhja e kryetarit e kryetarëve nëpër degë, nuk e ka pasur trajtimin për një format të bisedimeve me LDK’në” tha Kusari.

Ajo ka shtuar se ka qenë pro një bashkëpunimi të gjerë opozitar.

“Unë me Albinin kam pasur kontakt, e ai me kryetarin e LDK’së, për një bashkëpunim më të gjerë opozitar. Pasi që kjo, VV më ka kontaktuar dhe më kanë treguar që nuk ka koalicion zyrtar dhe më kanë kërkuar të jem pjesë e listës” shtoi ajo.

Kusari gjithashtu ka treguar se kreu i LDK’së i kishte ofruar asaj që të jetë pjesë e listës së tyre dhe Alternativa të shuhej si parti politike.

“Me LDK’në e kemi pasur një bisedë krejt ka fundi, oferta e kryetarit Mustafa ka qenë që ne me u shkri tërësisht në LDK dhe mos të ekzistojë më Alternativa. Me gjithë respektin, nuk mund të them diçka tjetër se jam me bindje liberal-demokrate” tha Kusari.

Kusari tregoi se pasi që në fillim u paralajmërua se nuk ka koalicion me Vetëvendosjen, kishte marrë oferta të shumta nga partitë në pushtet madje më së shumti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Kryeministri më ka thirr për takim dhe i kam thënë se ‘kam ardhur për respekt, kur ndalet beteja politike pimë kafe, por unë nuk mundem të jem Mimoza nëse jam pjesë e politikës suaj” shtoi Kusari.

Mimoza Kusari ka qenë kryetare e Komunës së Gjakovës dhe deputete në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat