Limaj prezanton pesë prioritetet e qeverisjes së tij

Aktuale

Limaj prezanton pesë prioritetet e qeverisjes së tij

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 21:06
Fatmir Limaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha sonte në Ferizaj se kanë pesë prioritete për këto zgjedhje, ku bujqësia është prioriteti kryesor.

"Unë besoj se 6 tetori ka me qenë befasi spektakulare fitorja e Nismës. Ne do të dalim me 5 prioritete në këto zgjedhje, bujqësia do të jetë prioriteti kryesor, paketa sociale, sigurimi shëndetësor. Prioriteti katër do të jetë reforma në drejtësi dhe fuqizimi i prodhimit vendor", tha ai.

Limaj shtoi se prioritet e kanë edhe diasporën, që sipas tij deri më tash është lënë anash, por kjo do të përfundojë me ardhjen e tij në krye të qeverisë së vendit.

"Nuk bënë të drejtohet vendi nga njerëzit që vetëm shajn. Sot i keni 5 oferta për kandidat për kryeministër. Dëshiron të bëhesh kryeministër, hajde dil tregoi popullit çka ke me bë. Le ta sheh qytetari kush është i gatshëm me e udhëheqë këtë vend. Nuk mundesh me thënë po bëhem kryeministër e të tjerët ta thejnë qafen. A e dinë çfarë do të thotë një person punën e parë publike me e pas kryeministër. Ku e ka Kosova këtë luksi. A e dinë çka do të thotë me u ul në tavolinë disa e provuan dhe thanë ika", tha Limaj.

Limaj tha se ka refuzuar postin e kryeministrit disa herë pasi që nuk e kishte ndjerë vetën të gatshme, por që tash ai tha se është i gatshëm për ta drejtuar vendin. Ai tha se i respekton të gjithë kandidatët për kryeministër, por që pohoi se ata nuk janë të gatshëm për ta marrë këtë përgjegjësi.

Limaj në Ferizaj tha se është koha që ai me Nismën të udhëheqë Kosovën.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi tha se është koha që Fatmir Limaj të jetë kryeministër i Kosovës. "Ka ardhur koha që Nisma të ndërtojnë një bosht politik rreth të cilit do të gravitojnë partitë e tjera. Nuk ishte nevoja ta bëjmë askënd kryeministër dhe vendosëm të shkojmë vet dhe të bëjmë ofertën tonë. Fatmir Limaj është ndër personalitetet e rralla që ka përjetuar bash si Kosova të gjitha periudhat, si të lehta, si të vështira", tha dhe shtoi se Fatmir Limaj është gati për të marrë udhëheqjen e shtetit të Kosovës.

Kryetari i degës së Nismës në Ferizaj, Besnik Berisha tha se në këtë qytet vota për Fatmir Limajn është trefishuar. "Vota për juaj dhe për Nismën në Ferizaj është trefishuar. Ne me të gjitha strukturat kemi vendosur ta arrijmë kuotën prej 5 mijë votave. Programi ynë është pakoja sociale, zhvillimi ekonomik, shëndetësia", tha Berisha.

Ai pohoi se kandidatët nga dega e Nismës në Ferizaj për deputet janë vlerë e shtuar e Nismës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat