Albin Kurti: Jemi vonë, fitorja e Vetëvendosjes është e pashmangshme

Aktuale

Albin Kurti: Jemi vonë, fitorja e Vetëvendosjes është e pashmangshme

Nga: V.R Më: 15 shtator 2019 Në ora: 12:58
Albin Kurti

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qëndruar të shtunën në Shkup, ku i është drejtuar masës me një fjalim. Kurti, ka ritheksuar arsyet se përse është e nevojshme fitorja eventuale e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai, ka deklaruar se historia ka dëshmuar se qeveritë, sistemet e regjimet janë të gabueshme, por madhështia e një populli qëndron në atë se sa është në gjendje të pranojë e t’i korrigjojë gabimet e padrejtësitë, e jo t’i amnistojë apo mohojë ato.

Drejtësia nuk është e drejtë nëse ajo funksionon vetëm për një pjesë të popullsisë, ka thënë Kurti.

Fjalimi plotë:

Fjalimi i djeshëm në Shkup, mbajtur në Kinotekën në ‘Karposh’, përballë ish gjimnazit “Zef Lush Marku”

Mirë se ju gjej në qytetin e Gonxhe Bojaxhiut (Nënës Terezë), por edhe të Hasan Prishtinës, në vendin e Ibrahim Temës dhe Josif Bagerit.

Shkupi ka qenë dhe mbetet pjesë e rëndësishme e shqiptarëve. Shqiptarët janë e do të mbeten pjesë e rëndësishme e Shkupit. Thënia “Shkup e Shkodër” nuk është thjesht një shprehje bisede por një e vërtetë historike që flet për të kaluarën tonë të përbashkët që ne ndonëse nuk e jetojmë dot, vetë ajo jeton brenda nesh.

Shkupi, Manastiri, Gostivari e Tetova, i dhanë Lidhjes së Prizrenit personalitete tejet të rëndësishme, si Jashar bej Shkupi, Sheh Mustafë Tetova dhe shumë të tjerë. Pra, ne nuk jemi aspak larg gjeografikisht dhe jemi aq afër historikisht.

Rrjedhimisht, ne, sot, këtu, nuk jemi risi, por vazhdimësi.

Më lejoni të flas pak për rrugën që kemi përpara e për ndryshimin që na pret në këtë tetor në Kosovë e rëndësinë që ka ky ndryshim për gjithë rajonin.

Tashmë është kuptuar që progresi në Ballkanin Perëndimor është i ndërlidhur sepse fatet i kemi të lidhura me njëri-tjetrin.

Për shkak të një historie tragjike, populli shqiptar është i ndarë në disa shtete të cilat sot janë fqinje me Kosovën e me Shqipërinë, dhe i shp[ërndarë gjithandej globit.

Duke qenë kështu, fati i Ballkanit Perëndimor ka qenë dhe mbetet i lidhur me fatin e shqiptarëve.

Historia në këto vite ka dëshmuar se “Ballkani do të bëhet mirë kur shqiptarët të trajtohen mirë”. Se, në Ballkan, njëmend nuk ka luftë pa Serbinë, por edhe nuk ka paqe pa shqiptarët.

Por, sikur armiqtë e jashtëm e të shumtë të mos mungonin, shqiptarët shpeshherë dinë të krijojnë armiqësi mes vete, duke harruar se çka është më e rëndësishme, çka është shumë e rëndësishme.

Lufta për lavdi personale, për pushtet e për pasuri, në dëm të tërësisë, shpeshherë ka mbizotëruar.

Kjo duhet të ndryshojë, sepse ne nuk mund të ecim përpara gjysmë të ndarë e gjysmë të përçarë.

Ne nuk duhet të punojmë për inat të askujt por as për dobi të dikujt. Ne duhet të punojmë për një të ardhme ku brezave që vijnë ju lëmë një popull më pak të ndarë e më shumë të bashkuar.

Sot shqiptarët e Tetovës nuk kuptohen me ata të Sarandës e të Prishtinës. Shqiptarët e Luginës nuk kuptohen me shqiptarët e Strugës, por që të gjithë një gjuhë e flasin.

Prishtina me Shkupin janë 72 km afër, por aq sa jemi afër aq edhe jemi larg, sepse rrugët sado të mira të jenë ato nuk na bashkojnë vetvetiu. Psh. dikur rrugët vërtetë ishin të gjata por distancat ishin të vogla.

Është mirë që rruga nga erdhëm e nga do të kthehemi e ka emrin ‘Arbën Xhaferi’ që ta kujtojmë atë çdo ditë, por edhe më mirë do të ishte sikur çdo ditë të punohet në ëndrrën e Arbën Xhaferit, të mendojmë siç do të mendonte Arbën Xhaferi, t’ia përkujtojmë vetes mendimin e tij për të gjithë neve.

Po, jemi vonë por asnjëherë nuk është tepër vonë. Kemi idetë dhe vullnetin, pra kemi krejt çka na nevojitet për ndryshime.

Shqiptarët nuk mundet dhe nuk duhet të reduktohen në përqindje e statistika.

Të drejtat duhen të jenë universale.

Nëse gjuha zyrtare arrihet me 5% në një vend, e 20% në një vend tjetër, kjo nuk është as universale dhe as e drejtë.

Ama nuk duhet e nuk bën të sillemi si viktima në të drejtën tonë.

Në vend që të drejtën tonë ta kërkojmë e ta mbrojmë, shpeshherë ne presim të na japin si dhuratë a mëshirë.

Paqja e siguria në Ballkan nuk arrihet me popuj dhe kombe të favorizuara por me të drejta të barabarta.

Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Drejtësia nuk është e drejtë nëse ajo funksionon vetëm për një pjesë të popullsisë.

Historia na ka dëshmuar se qeveritë, sistemet e regjimet janë të gabueshme, por madhështia e një populli qëndron në atë se sa është në gjendje të pranojë e t’i korrigjojë gabimet e padrejtësitë, e jo t’i amnistojë apo mohojë ato.

Maqedonia e Veriut është fqinji jonë, për më tepër është shtet mik i cili është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, me të cilin më parë se çështje të hapura ndajmë probleme të njëjta.

Ekonomia jonë është e lidhur. Fenomeni i ikjes së njerëzve për shkak të papunësisë, e jetës së padinjitetshme, prania e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është shqetësim që dy vendet e ndajmë.

Në Maqedoninë e Veriut, statistikat tregojnë se shumë fshatra dhe qytete shqiptare e maqedonase kanë lëshuar vendin. Shumë shkolla fillore dhe të mesme janë mbyllur. E njëjta dukuri është edhe në Kosovë.

Të dy shtetet ndajmë rrugën e përbashkët për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian. Ndajmë përkushtimin e përbashkët për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të dy anët.

Dhe, për të luftuar ndikimet e jashtme të cilat nuk përkojnë me vlerat tona demokratike dhe orientimet tona strategjike.

E ardhmja jonë është e përbashkët.

Sfida jonë e vërtetë nuk është që të jetojmë të ndarë por të bashkuar. Sfidë është të pranojmë njëri-tjetrin përkundër prejardhjes tonë, përkundër asaj që na ndan.

Rruga e Maqedonisë së Veriut, sikurse e shteteve të tjera në Ballkan, është ajo e bashkëpunimit, e integrimit dhe respektit të ndërsjelltë dhe jo ajo e përjashtimit dhe mohimit.

Më 6 tetor Kosova do të hapë një kapitull të ri.

Qytetarët atje presin që më në fund shteti të çlirohet nga kapja e tij, një proces që Maqedonia e Veriut tashmë e ka filluar.

Prioriteti im kryesor si Kryeministër do të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për prokurori kundër krimit dhe për prokurim të dekrimininalizuar.

Investimi në edukim, në prodhim, dhe në rritjen e standardit jetësor në mënyrë që emigrimin jashtë vendit ta zëvendësojmë me punësim brenda vendit, korrupsionin ta zëvendësojmë me drejtësinë, prapambetjen me zhvillim, kushtëzimet me liri, privilegjet e diskriminimet me barazi, feudet politike me republikë demokratike, importin me prodhim, e skamjen me begati.

Ndryshimi që po kërkojmë duhet të jetë i madh, rrjedhimisht edhe zgjedhjet duhet të jenë historike e pjesëmarrja masive. Ndryshimi i vogël nuk është ndryshim.

Ky ndryshku i vjetër hiqet me të renë ndryshe, që sjell ndryshimin e madh, që na nevojitet dhe e dëshirojmë.

Ne na duhet çdo votë, në çdo vend ku kanë të drejtë vote.

Shumë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut e kanë dyshtetësinë. Por, le të mos I kenë dy mendje. Më 6 tetor u bëj thirrje të vijnë në Kosovë e të votojnë. Shfrytëzojeni shansin, përdoreni mundësinë, ushtroni të drejtën.

Lista jonë e zgjedhjeve si kurrë më parë reflekton gjuhën që ne flasim, vullnetin që ne përfaqësojmë, interesin e përgjithshëm që ne mbrojmë.

Shqipja nuk flitet vetëm në Kosovë, prandaj parlamenti nuk është vetëm i Kosovës.

Duke qenë kështu, Vlera Gjakova është sa e Shkupit po aq sa është e Prishtinës dhe e Gjakovës.

Vlera do t’i sjellë vlerë të shtuar jo vetëm Lëvizjes VETËVENDOSJE! por edhe parlamentit të Kosovës.

Me Vlerën në parlament hallet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut bëhen halle të parlamentit të Kosovës.

Prandaj, na ndihmoni që fitorja të jetë e madhe porsi ndryshimi që po e kërkojmë sepse na nevojitet.

Erdhi dita që shqiptarët t’i bëjmë krenar me punë të ndershme.

Erdhi dita që Shkupi, Kumanova, Tetova, Gostivari, Manastiri e Ohri e kudo ku ka shqiptarë me të drejtë vote të kenë arsye për të votuar edhe në Kosovë.

Sepse dita e ndryshimit dhe e kthesës dhe e shpresës është me 6 tetor.

Votoni, fitoni, me neve, për vete, bashkë.

Ju falemnderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat