Veseli në Ferizaj: Lufta kundër korrupsionit do të sjell ekonomi të zhvilluar dhe vende pune

Aktuale

Veseli në Ferizaj: Lufta kundër korrupsionit do të sjell ekonomi të zhvilluar dhe vende pune

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 16:32
Foto nga takimi

(E plotësuar) - Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur sot një pjesë të programit të tij para grave të qytetit të Mitrovicës, me ç’rast potencoi paktin e luftës kundër korrupsionit, çështjen e legalizimit të pronave, dhe fuqizimin e rolit të grave nëpërmjet mbështetjes institucionale.

Veseli: Problemi i legalizimit të zgjidhet bashkërisht pas 6 tetorit

“Kam iniciuar paktin kundër korrupsionit dhe çështjen e legalizimit të pronave. Janë rreth 350 mijë prona, të cilat janë në Republikën e Kosovës të pa legalizuara dhe të cilat nuk kanë fletë poseduese. Është një kapital prej 10 miliardë eurosh që qëndron i mbyllur…Kjo do të jetë ajo që do të mundohem ta zgjidhë bashkërisht pas 6 tetorit, si dhe nuk ka lider në Republikën e Kosovës, as nuk ka parti, dje as sot, po ju jap fjalën as nesër, që i vesh gratë më shumë me petkun e përgjegjësisë në institucionet e vendit, se sa PDK-ja”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së tha se koncepti i partisë së tij është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejtë me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani.

Sipas tij, ai nuk mban inate personale me asnjërin që përpiqet për të mirën e vendit, ndërsa premtoi se do të vazhdojë paktin kundër korrupsionit së bashku me qytetarët, për shkak të një perspektive më të mirë për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

Veseli: S’kam inat me askënd, por korrupsioni duhet ndalur

“Koncepti jonë është shumë i qartë, një Kosovë euroatlantike dhe perëndimore, si dhe marrja e drejtpërdrejtë me problemet me të cilat qytetarët janë ballafaquar deri tani... Unë kam pritur nga partitë tjera që kur kanë filluar luftën kundër korrupsionit, të paktën për të pasur  mirëkuptim, përkrahje, por vërejta se më shumë se sa qëllimi i mirë, është inati për ta mbajtur veten të bllokuar. S’kam inat me askënd, çdokush që mundohet për të mirën e këtij vendi, ka me qenë afër tij kudo që jam. Kështu i kisha thirrur edhe ata. Unë do të vazhdoj paktin e luftës kundër korrupsionit, do të vazhdoj me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për t’i krijuar perspektivë jetës tonë, vendit dhe të rinjve tanë, në rend të parë duhet me ndal atë që quhet lakmi, ego, dhe kjo me fjalë politike quhet korrupsion dhe nepotizëm, të cilat duhet me i ndal”, theksoi Veseli.

Duke premtuar perspektivë më të mirë për të gjithë pas zgjedhjeve, sidomos për të rinjtë, Veseli kërkoi unitet për të mirën e shtetit të Kosovës dhe jo përçarje në mes vete, si dhe më shumë vota për gratë. 

***

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Kadri Veseli, është pritur në Ferizaj nga qindra zyrtarë të kësaj partie për të diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe planin e Veselit për zbatimin e planit kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Kreu i PDK-së tha se vizioni i tij i cili po shpërndahet anekënd Kosovës, synon që në qeverisjen e re të udhëhequr prej tij të nisë çrrënjosja e korrupsionit në të gjitha institucionet e vendit, për t’i hapur perspektivë zhvillimit ekonomik dhe shanse të barkarta për të gjithë të rinjtë, në mënyrë që ata ta gjejnë perspektivën e tyre brenda Kosovës.

Veseli: Duhet me pas fitore si Kosovë, ky është qëllimi jonë

“Jam falënderues për të gjithë ata qindra, mijëra vajza e djem që po i takoj anekënd Kosovës, të cilët më tregojnë se janë duke e marrë mesazhin, janë duke e përçuar mesazhin edhe më tutje. Vizionin tonë të Kosovës euro-atlantike, vizionin tonë të Kosovës që duhet të ketë perspektivë, duhet me pas zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit. Nuk duhet me pas korrupsion, nuk duhet me pas nepotizëm, nuk duhet me pas ndarje mes vete, nuk duhet me pas përçarje, por duhet me pas bashkim, duhet me pas fitore si Kosovë. Ky është qëllimi jonë”, tha Veseli.

Veseli po ashtu theksoi se Qeveria e re e udhëhqeur prej tij, do të punojë shumë më shumë dhe do të krijoj mundësi për rininë nëpërmjet ndërmarrësisë dhe prodhimeve vendore, p[ër të hapur vende të reja pune për vajzat dhe djemtë e rinj, të cilët siç tha Veseli, duhet ta krijojnë familjen e re të tyre në Kosovë, e jo të mendojnë të ikin nga Kosova. 

Veseli: Kur kemi prodhim, kemi njerëz të punësuar e më pak njerëz që tentojnë me na ikë

“Duhet edhe shumë më shumë me punu në mënyrë që t’u krijojmë perspektivë vajzave dhe djemve tanë të rinj që mos ta lëshojnë Kosovën. Me pas shpresë, me pas besim, me pas mundësi me pas shanse me jetu në Kosovë, me kriju familjet e tyre në Kosovë, me qenë me prindërit e tyre. Për faktin se ky është shtet që e kemi arritur të gjithë bashkërisht. Duhet shumë me punu me funksionu ligji. Duhet shumë me punu me pas ndërmarrësi edhe më të fuqishme e më të zhvilluar, për faktin se kur kemi ndërmarrësi të fuqishme, kemi prodhim më shumë. E kur kemi prodhim më shumë, kemi edhe njerëz të punësuar më shumë e më pak njerëz që tentojnë me na ikë. Ky është orientimi ynë, kjo është politika jonë, politika e Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat