Kurti: S’kam nevojë për tre zëvendësa e 35 këshilltarë - Bota Sot
Kurti: S’kam nevojë për tre zëvendësa e 35 këshilltarë

Aktuale

Kurti: S’kam nevojë për tre zëvendësa e 35 këshilltarë

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 10:20
Albin Kurti

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka vizituar Besianën, me ç’rast është takuar edhe me qytetarë të kësaj komune.

Sipas Kurtit, vendimi i parë që do të bëjë në qeveri, është zvogëlimi i numrin të ministrive, derisa, ka shtuar se nuk ka nevojë për tre zëvendësa dhe 35 këshilltarë në qeverinë e tij.

Nga Vetëvendosje u zotuan se do të luftojnë pabarazinë, papunësinë si dhe padrejtësinë.

“Përmes shtetit social, zhvillimor dhe të së drejtës Lëvizja do ta luftojë edhe pabarazinë, edhe papunësinë edhe padrejtësinë. Tashmë, ka ardhur dita që qytetarët e shumtë që po na bashkohen e dinë se Kosova nuk mund të vazhdojë më kështu, e duan ndryshimin e kësaj gjendje dhe do ta votojnë masivisht Lëvizjen.”

Postimi i plotë:

Besiana mezi po e pret 6 tetorin Në qendër të Besianës dhe në oborret e shkollave të fshatit Sfeqël e Gërdoc me qytetarë të bashkuar edhe nga Kaqybegu të po kësaj komune kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti mbajti tre tubime bashkëbiseduese dhe mobilizuese. Në tubime morën pjesë edhe kandidatët për deputetë të Lëvizjes, Ajet Potera, Sabri Kiçmari, Shpejtim Bulliqi, Mevlyde Hyseni, Fitim Haziri, Fatmir Humolli dhe Fjolla Ujkani duke mbajtur fjalët e rastit. Sabriu tregoi gatishmërinë e qytetarëve dhe të Lëvizjes për t’i nxjerrur në pension qeveritë e deritanishme bashkë me mentalitetin e tyre, ndërsa Shpejtimi shprehu bindje se fitorja e Lëvizjes do vijë falë bashkimit të qytetarëve të të gjitha gjeneratave që identifikohen me qëllimin tonë. Ajeti u zotua për mbështetjen e duhur buxhetore për ushtrinë, ndërsa Mevlydja foli për mbrojtjen e punëtorëve dhe grave në qeverisjen e Lëvizjes. Fitimi tha se në asnjë mënyrë qeverisja Kurti nuk do t’i ngjajë qeverisjeve të deritanishme, ndërsa Fatmiri ndau bindjen se Kosovës ndryshimi nuk mund t’i vijë nga jashtë por nga dëshira e madhe që kanë qytetarët e saj. I rrethuar nga plot anëtarë të rinj të Lëvizjes, Kryeministri i ardhshëm Kurti tha se gjëja e parë që do të bëjë në qeveri do të jetë zvogëlimi i qeverisë dhe zgjerimi i shtetit duke thënë se, “unë nuk kam nevojë për 3 zëvendësa dhe 35 këshilltarë”. Më tutje, mbështetjen për prodhimin vendor në prodhim, shpërndarje, por edhe në konsum tregoi se qeveria e Lëvizjes do ta garantojë përmes ligjit për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe e ilustroi me shembullin se, “shteti si konsumator do të jetë konsumues i prodhimeve vendor më së pari”. Përmes shtetit social, zhvillimor dhe të së drejtës Lëvizja do ta luftojë edhe pabarazinë, edhe papunësinë edhe padrejtësinë. Tashmë, ka ardhur dita që qytetarët e shumtë që po na bashkohen e dinë se Kosova nuk mund të vazhdojë më kështu, e duan ndryshimin e kësaj gjendje dhe do ta votojnë masivisht Lëvizjen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...