Shtatë zotimet nga kandidatët për kryeministër që po kërkohen nga “Democracy Plus”

Aktuale

Shtatë zotimet nga kandidatët për kryeministër që po kërkohen nga “Democracy Plus”

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 15:53

Organizata e Shoqërisë Civile “Democracy Plus” u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit që të vënë nënshkrimin në një dokument, në të cilin janë prezantuar disa kërkesa për zotime për qeverisje të mirë.

Në një dokument të publikuar nga “Democracy Plus”, kërkohet nënshkrimi i shtatë zotimeve nga kandidatët për kryeministër.

“Kemi kërkuar nga ata që të vënë nënshkrimin në Zotimet për Qeverisje të Mirë si dëshmi e përkushtimit të tyre për zbatimin e tyre nëse zgjedhen Kryeministër në qeverinë e re. U bëjmë thirrje edhe publikisht të gjithë kandidatëve që të zotohen për këto kërkesa minimale për qeverisje të mirë”, thuhet në përshkrimin e bërë mbi dokumentin në fjalë.

Siç edhe mund të shihet në dokumentin e publikuar, kërkohet mes tjerash që qeveria e ardhshme të mos ketë më shumë se 15 ministri.

Gjithashtu, përveç udhëheqjes së 30 për qind të ministrive nga gratë, aty është kërkuar edhe që të bëhet zotimi se çdo mbledhje e qeverisë të jetë e hapur për publikun, përkatësisht të transmetohet drejtpërdrejt.

Veç këtyre, kërkohet zotimi që kryeministria të publikojë Raport Vjetor për Realizimin e Programit Qeverisës, si dhe Kryeministria dhe ministritë të publikojnë të gjitha kontratat dhe aneks-kontratat në webfaqet e tyre zyrtare.

“Democracy Plus”, kërkon zotimin nga kandidatët për kryeministër se do të ketë depolitizim në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të agjencioneve dhe ndërmarrjeve publike, si dhe raportim dhe standardizim në raportim të shpenzimeve të Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive në baza mujore (përfshirë faturat, urdhërblerjet dhe pagesat).

Ndryshe në zgjedhjet e 6 tetorit për të parin e Qeverisë së Kosovës do të garojnë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmir Limaj nga koalicioni NISMA-AKR-PD, Kadri Veseli nga PDK, Nenad Rashiq nga koalicioni parazgjedhor “Sloboda”, Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-PSD, si dhe Vjosa Osmani nga LDK. 

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat