Osmani në Cerrcë: LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Rugovës

Aktuale

Osmani në Cerrcë: LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Rugovës

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 19:51
Vjosa Osmani

Gjatë një vizite që i bëri fshatit Cerrcë të Istogut, vendlindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani ka thënë sot se LDK-ja po rikthehet sikur në kohën e Rugovës.

“Asnjë vend nuk mund të jetë më krenar se ju sot. Cërrca është vendi që i dha Kosovës mendjen më të urtë, më të ndritur dhe më këmbëngulëse që njeh historia jonë e re, arkitektin e pavarësisë, presidentin Rugova, që ishte sublimim i përpjekjeve tona për liri, pavarësi e demokraci”, ka thënë Osmani.

Ajo ka pohuar se LDK-ja e ka besimin e plotë të banorëve të vendlindjes së Rugovës.

“Këtë besim dhe përkrahje tuajën do ta ruaj në përjetësi duke dërguar në vend synimin e Presidentit tonë Rugova për një shtet demokratik, të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me miqtë tanë euroatlantikë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se do të jetë besnike dhe konsistente e qytetarëve në Zyrën e Kryeministrit, duke luftuar me vendosmëri çdo shkelje të ligjit dhe duke garantuar barazi për të gjithë.

Kandidatja e LDK-së, ka folur për vizionin e saj për një Kosovë të zhvilluar dhe demokratike, ku sundon ligji dhe kthehet shpresa e të rinjve në shtetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat